Të ftuar sot në “Wake Up” ishin këngëtari Young Zerka dhe producenti Alandy. Alandy është rumun me nënshtetësi shqiptare dhe tekstshkrues që ka bërë bashkëpunime mjaft të suksesshme me Dhurata Dorën dhe artistë të tjerë kosovarë. Kjo është dalja e tyre e parë bashkë, ku ata na treguan më shumë se si lindi bashkëpunimi mes tyre dhe planet mbi projektet e reja muzikore.
Si lindi ‘kimia’ mes tyre duke sjellë kaq projekte interesante? Young Zerka na tregon…
Kjo është hera që po dalim bashkë në intervistë, jemi njohur në studio por bashkëpunime kemi plot. Takimi i parë mes nesh ishte si një farë provokimi për një ‘beat’, ku Alandy më pyeti se si mund ta bëjmë këtë. Nuk e kisha njohur atëherë shumë si producent, por na u përshtat ‘vibe’.
Alandy, çfarë të ngjiti ty drejt tregut shqiptar muzikor?
Muzika rumune ka qenë shumë në modë në ato kohë, por më shumë më ka pëlqyer mikpritja në Shqipëri. Kam qenë në shumë vende të botës, por nuk e kam ndjerë mikpritjen si këtu.
Pse Young Zerka është shkëputur nga intervistat kohët e fundit?
Kam rreth dy vite që nuk dal nëpër intervista pasi jam fokusuar më shumë tek pjesa e muzikës. Ne kemi pasur një album me Alandy-n për të publikuar, por nuk e kemi publikuar ende.
Një nga projektet e tua titullohet “Nafije”. Pse e ke quajtur kështu dhe a ka ndonjë “Nafije” në jetën tënde?
Nafija është e para e fshatit. Si është ajo pjesa ‘siç e tund Nafija, nuk e tund asnjë në fshatin tonë’. Për momentin nuk ka, akoma jemi në kërkim.
Ka një bashkëpunim që të ka shijuar shumë se të tjerët?
Çdo material ka pozitivitetin e vet. Që të bësh një bashkëpunim, duhet të përshtatesh me atë artist, njëri gjen një fjalë, tjetri e plotëson. Të gjitha bashkëpunimet kanë qenë të mira, nuk do i ndaja.
Kur erdhi Alandy solli një rrymë të re në Shqipëri. Si u ndjeve ti kur njerëzit e përqafuan rrymën tënde?
Në fillim të gjithë kishim frikë kur hodhëm këngën e parë që ishte gjysmë anglisht. Kur është xhiruar klipi e kemi ndryshuar pak ritmin. Gjuha shqipe është shumë melodioze dhe mund të këndosh çdo lloj rryme.
A keni ndonjë projekt të ri me të cilin po merreni?
Kemi shumë projekte të reja, por duam t’i lëmë surprizë.
Kjo është edhe hera e parë që Alandy është në Festivalin e Këngës. Si ndihesh për këtë?
Mund të them se është një lumturi e madhe, pasi kam 11 vjet në Shqipëri dhe kurrë nuk kam marrë pjesë në asnjë festival. Më vjen mirë që më në fund më vlerësuan.