Vera nuk ka mbaruar ende! Kjo jo vetëm për shkak të temperaturave të larta, por gjithashtu edhe me këngët e reja ritmike të publikuara.

E radhës që premton të ‘nxehi’ situatën është bashkëpunimi më i fundit i Alandy dhe Young Zerka. Këta dy artistë na kishin munguar prej disa muajsh dhe mesa duket tani i erdhi fundi pritjes.

“Edhe pak” titullohet projekti i tyre i përbashkët ku sigurisht nuk kishin si të mungonin ritmet reaggae, që duket se i kanë shoqëruar në thuajse çdo këngë të tyre. Dyshja e kanë gjetur gjuhën e përbashkët mes tyre dhe në fakt nuk duhet ta mohojmë se çdo projekt ka rezultuar në një hit dhe që na ka bërë të kërcejmë me ritmet verore.

Patjetër që këngëtari i njohur dhe producekti kanë bashkëpunuar edhe me të tjerë artistë gjatë kësaj kohe, megjithatë formojnë një nga dyshet më interesante të tregut sa herë bashkojnë forcat me njëri-tjetrin. Kujtojmë këtu edhe këngën “Sorry” që publikuan disa muaj më parë, një dedikim shumë special nga Alandy.