Loré është dalluar gjithmonë për zërin e saj unik dhe talentin e veçantë në muzikë dhe gjithmonë ka pasur një vend special në Top Awards. E nga ana tjetër, të njëjtën gjë mund të themi dhe për Killua, apo siç tashmë njihet si letskillua.
Artisti është shquar gjithmonë për frymën e tij origjinale, tekste aktuale dhe shumë pranë temave të përditshme duke sjellë përherë një mesazh. Loré dhe letskillua janë prej vitesh bashkëpunëtorë dhe mbështesin njëri-tjetrin në projektet e tyre.
Por ende asnjë bashkëpunim. Kjo deri pak ditë më parë, kur Loré dhe letskillua publikuan “Si ti”.
E mendonit dot se çfarë mund të ndodhte kur këto dy talente bëhen bashkë? Epo, ashtu siç mund ta imagjinonit, “Si ti” tërhoqi menjëherë vëmendjen e të gjithëve ne dhe ka hyrë këtë javë në “The Top List” përmes votave të shumta të publikut.
“Si ti” vjen pak më ndryshe nga sa i kemi parë më parë Loré dhe letskillua, më ritmike dhe me një frymë shumë verore, të freskët dhe energjike. Megjithatë, kënga ende ka dukshëm prekjen detajiste dhe shumë unike të dyshes.