Killua ishte i ftuar në emisionin “Lancio” në Top Albania Radio, ku ndau më shumë detaje rreth rrugëtimit të tij në muzikë dhe planeve për të ardhmen. Artisti, i njohur për stilin e tij unik që kombinon tinguj modernë me influenca alternative, urbane, hip hop-i, ka arritur të krijojë një identitet të veçantë në skenën muzikore shqiptare.

Gjatë intervistës, Killua zbuloi se sapo ka lançuar një album të ri, titulluar “BrrBrr”, i cili premton të sjellë një dimension tjetër të tij artistik, me këngë më personale dhe eksperimentale. Ai la të kuptohet gjithashtu se është në diskutime për të qenë pjesë e një reality show, duke zgjeruar kështu praninë e tij edhe përtej muzikës. Me projekte të reja në horizont dhe një energji që e karakterizon në çdo dalje publike, Killua duket se është gati për një fazë të re në karrierën e tij. Si e përshkruan ai këtë moment artistik?

Me thënë të drejtën, kur e kam nxjerrë albumin tani, njerëzit nuk e kanë pritur që do jetë ky album që është sepse ndryshon shumë me prodhimet e mia të tjera. Albumet që kam pasur më përpara, ‘Rrno për me tregu’, ‘Metamorfoza’, kanë qenë pak më indie, kurse ky album është me trap. Një gjë që unë e kam dashur më përpara, por nuk kam pasur kohën dhe mundësinë, pasi kam qenë i angazhuar në projekte të tjera. Ato që do ta dëgjojnë albumin do ta kuptojnë që është tingull tjetër, që nuk është përdorur më përpara. Këtë e them me bindje. 

Nëse albumi i tij më i përfolur, deri më tani ‘Metamorfoza’, e ka shndërruar artistin, çfarë versioni ka lënë më pas tek ai?

Ka lënë pas një version shumë naiv. Kam qenë shumë naiv në mënyrën se si funksionojnë gjërat në industri, si janë njerëzit, edhe si funksionon i gjithë rrjeti. Sa shumë janë njerëzit fallco e hipokritë, dhe më ka sjellë një status që unë tani e kuptoj realitetin. Kam bërë paqe me atë. Nuk do jem kurrë pjesë e kësaj hipokrizie. 

Në lidhje me krijmtarinë, Killua u shpreh se ka ikur fokusi nga historia, por është fokusuar tek personazhi, ndaj edhe reality show janë duke qenë çdo ditë e më shumë të kërkuar nga audienca. Nëse Big Brother do të ishte një talent show, a do të fitonte ai?

Jo, varet. Nëse do të ishte për shkrim, do ta fitoja. Për këndim, jo.