Killua rikthehet fuqishëm në skenën muzikore me albumin e tij më të ri “BrrBrr”, një projekt që po tërheq vëmendjen e fansave dhe kritikëve që në ditët e para të publikimit. I njohur për stilin e tij eksperimental dhe qasjen shpeshherë alternative ndaj hip-hopit, Killua duket se me këtë album ka vendosur të thellojë edhe më shumë identitetin e tij artistik.

Këngët e tij ngrejnë problematika sociale të të rinjve, të vetë artistit, të padrejtësive dhe fenomeneve të tjera, pa rënë në përsëritje apo vulgaritet.

Në një postim në Instagram, artisti shkruan për trajektoren e tij, nga një studio e vogël modeste, drejt performancave në Shqipëri dhe jashtë saj, ku mbi 100,000 njerëz kanë kënduar njëherazi në shqip. Ai e konsideron këtë rrugëtim një përjetim të pabesueshëm dhe një krenari të madhe, të ndërtuar pa kompromise dhe së bashku me artistë e bashkëpunëtorë që i ka ftuar një nga një në këtë proces. Por ky rrëfim nuk ndalet vetëm tek suksesi. Ai përfshin edhe përplasjen me anën tjetër të industrisë, një realitet që, sipas tij, dominon qartazi anën e mirë të saj. I rritur me vlera të tjera, ai pranon se nuk ka mundur të përshtatet me këtë dimension dhe është rikthyer tek elemente që dikur i kishte lënë pas, duke bërë paqe me to dhe madje duke mësuar t’i pranojë.

Gjatë kësaj periudhe, ai përshkruan humbje personale dhe zhgënjime nga njerëz të afërt, ndërsa përballë publikut ka zgjedhur heshtjen, si një reflektim i një kulture ku problemet e brendshme nuk ekspozohen. Në këtë kontekst shfaqet edhe një element simbolik qendror, një ëndërr e përsëritur ku, në një rrugë që çon drejt shtëpisë së gjyshes në mal, në mjegull shfaqet një ujk i madh dhe i bardhë. Frika e fëmijërisë përballë këtij imazhi është përkthyer në cover-in e albumit, si një simbol i marrëdhënies së tij aktuale me këtë figurë. Përmes AI, ai ka rikrijuar ujkun pikërisht siç e ka parë në ëndërr.

Në vetë albumin, sipas artistit, jeton një anë e tij që publiku nuk e ka njohur më parë. I mbushur me simbolika nga cover-i deri te kënga e fundit që mbyll albumin, projekti synon të përfshijë dëgjuesin në një rrugëtim të plotë.