Dhimbje e hedhur në vargje është projekti më i fundit i Alban Skënderaj, i cili në fakt përshkruan një dhimbje të përbashkët me atë të bashkëshortes së tij, Miriam Canit.
“Plage ne gjysmeshpirt” mban titullin kjo këngë, e cila është një nga këngët më personale të Alban Skënderaj derimë tani. Teksti i këtij projekti muzikor tregon dhimbjen e dy artistëve për humbjen e papritur të personave më të afërt në jetën e tyre, pikërisht nënat.
Në një postim të bërë në profilin e tij të “Instagramit”, Albani ka treguar se këtë këngë e ka shkruar 10 vite më parë, një këngë që ka qënë më shumë e Miriamit sesa e Albanit pasi është shkruar pikërisht kur nëna e saj u nda nga jeta në moshë shumë të re. Kjo këngë nuk arriti të diltë në treg pasi për Miriamin ishte tepër e vështirë ta këndonte për shkak të emocioneve të forta.
Fatkeqësisht rreth dy vite më parë, Albani humbi nënën e tij dhe në momente të vështira, ai nuk ka mundur ta gjejë dot një përgjigje përse e gjitha kjo ndodhi, kështu që ndjenjat e tij janë pasquruar më shumë se kurrë në këto vargje.
“Na mungojnë çdo ditë dhe sado koha të kalojë, këto plagë nuk do mbyllen kurrë plotësisht. Ne nuk jemi aspak të veçantë, nuk kemi imunitet nga dhimbja, jemi njerëz si të gjithë dhe sipas nesh, misioni më i madh i një artisti është të shkruajë këngë që sado pak i bëjnë njerëzit të mos ndihen vetëm, si në gëzimin ashtu edhe në dhimbjen e tyre. Ndaj vendosëm këtë këngë dhe këto ndjenja t’i ndajmë me ju“, shkruan ndër të tjera në postimin e tij Albani.
Për këtë këngë të ndjerë thellë në shpirt nuk mund të mungonte një reagim i Miriamit, e cila në një postim të bërë në rrjetet sociale shkruan: “Nuk e kam gjetur kurrë forcën në këto 10 vite t’i këndoj këto vargje që ti shkëpute nga shpirti im. E kam shumë të vështirë të shkruaj apo të flas për të, pa më rrahur zemra çmendurisht fort. Koha shëron çdo plagë thonë por unë di të them që thjesht vetëm mësohesh të bashkëjetosh me një dhimbje të tillë. Përpiqesh që këtë dashuri që ruan fort në shpirtin tënd t’a kthesh në forcë dhe motiv. Nuk do mundem të të falenderoj dot kurrë mjaftueshëm që përjetësove në fjalë e tinguj atë që ndjej për nënën time por tashmë edhe ti ndjen për tënden. Na bashkojnë plot gëzime por edhe dhimbja na bën një. Kam 10 vite që e këndoj çdo ditë brenda vetes. E dua me çdo qelizë të trupit tim, e mendoj me çdo frymëmarrje timen dhe e di që një ditë ky gjysmëshpirt do të plotësohet”.
Ndërkohë që kjo këngë ka marrë pafund vlerësime nga ana e publikut dhe këtë e tregon më së miri pozicionimi i saj në vendin e 5-të në “The Top List”, Albani ka zbuluar gjithashtu për fansat e tij se me arfhjene pranverës është rritur edhe dëshira për të krijuar muzikë me energji pozitive.