I ftuar në këtë episod të “A Live Night” ishte Gjon’s Tears. Një artist me kuptimin e plotë të fjalës, që ka arritur një sukses të madh jo vetëm me talentin, por edhe me punën e tij të palodhur, Gjon’s Tears, rrëfehët për fëmijërinë në “A Live Night”.

Fëmijëria ime ka qenë e bukur. Ishte pak e komplikuar. Për mua ishte pak turp sepse jetoja në Zvicër dhe njerëzit më pyesnin nga vija, por edhe kur isha në Kosovë e në Shqipëri më bënin të njejtën pyetje. Më duhej shumë kohë për ta kuptuar këtë situatë. Të rëndësishme në jetë janë vlerat tona, ku besojmë, për çfarë luftojmë në jetën tonë. Njerëzit në Zvicër janë më të ftohtë, nuk flasin për ndjenjat e tyre. Mendoj se në Shqipëri njerëzit janë më të nxehtë.

Në fillim më vinte turp, sepse emri Gjon nuk ishte zvicerian dhe më pyesnin gjithmonë nga vjen ti. Por edhe në Kosovë e në Shqipëri më pyesnin nga vija. Gjithmonë e kam pasur këtë pikëpyetje në jetën time që çfarë jam. Ndihem me fat që kam pasur mundësinë në jetën time për të gjitha këto kultura të ndryshme dhe edukime të ndryshme që ma kanë dhënë mundësinë ta kem veten si një puzzle dhe të marr copat më të bukurta të çdo kulture për të rritur veten dhe për t’u bërë sa më i plotë në jetën time.

Gjon zbuloi emocionet e një artisti dhe tregoi mesazhet që ai përpiqet të përcjellë me artin e tij, teksa theksoi sa e rëndësishme është puna tek një artist.

Unë besoj se kur lindim kemi thjeshtësi. Është thjeshtësi, nuk është talent. Unë mendoj me të vërtetë që puna bën gjithçka. Le të mësojmë sa më shumë çdo ditë. Ky besoj është qëllimi i jetës. Të jemi versioni më i mirë i vetes çdo ditë. Ne jemi njerëz që shesim ëndrra.

Por cilat janë vlerat më të rëndësishme për Gjon’s Tears?! Ja çfarë zbulon ai për “A Live Night”.

Unë besoj tek shumë vlera, por vlera ime më kryesore kur isha i vogël ishte respekti. Këtë e kuptoja kur takoja njerëz me të cilët ishte e komplikuar të flisnim dhe kishim edukime të ndryshme… Vlera më e rëndësishme sot në jetën time është sinqeriteti. Gjëja më e rëndësishme është që ti t’ua thuash gjërat të tjerëve. Këtë e kam mësuar sepse besoj tek diçka shumë e rëndësishme, tek sytë e njerëzve.

Ai na zbulon hapat e parë në muzikë, teksa tregon dhe simbolin e tij si një artist, që janë pikërisht lotët.

Kujtimi i parë me muzikën është në një dyqan në Zvicër që shiten gjëra të përdorura. Një ditë babi më tha që do më blinte cd me muzikë me çifteli. Një ditë erdhëm te muzika klasike dhe i thashë babit të më blinte një cd me Bach. Kur e kam dëgjuar për herë të parë u frikësova. Kuptova që muzika mund të ndikojë direkt te gjendja jote, u frikësova.

Më pas fillova piano. Një ditë erdhi gjyshi dhe tek piano ishte “Can’t Help Falling in Love” e Elvis Presley. Kjo ishte kënga e preferuar e gjyshit dhe më kërkoi ta këndoja. Unë thash – obobo nuk di ta këndoj. E mësova dhe para se të shkonte në Kanada ia këndova. Ai filloi të qajë, dhe kjo ishte ndjenja që kam pasur si herën e parë me Bach. Kujtova vlerën e muzikës. Kur e shikoj njeriun më të fortë të jetës sime në lot, ishin lotët shumë simbolikë dhe shumë të rëndësishëm për mua.

Edhe në konceptin e Gjon’s Tears i kam ruajtur lotët, sepse është edhe një gjë. Gjyshi gjithmonë më ka thënë e di që do bëhesh i madh, por s’do jem këtu të të shoh. Kështuqë kam shkuar sa më shpejt, me shumë fuqi, që ai t’i shohë. Sot jam shumë krenar dhe i bindur që ai i ka parë gjithë këto gjëra që ai ishte nismëtari. Pa atë nuk do kisha bërë muzikë. Unë jam njeri shumë i apasionuar. Por muzikën gjyshi ma zgjodhi, sepse kam provuar shumë gjëra vetë…

Gjon’s Tears rrëfeu gjithçka për karrierën e tij, dashurinë e tij të madhe muzikën, teksa na zbuloi hapat e tij të parë në muzikë.

Është një gjë të këndosh. Por si i prek njerëzit, si e tregon ti historinë tënde. A kuptojnë çfarë ti do të thuash, cili është mesazhi yt. Jam shumë i kënaqur që gjyshi e ka ditur që me muzikë do i tregoj se është koha ime.

Pas episodit të gjyshit, ai më tha që njerëzit duhet të më dëgjojnë. Thashë gjyshi ëndërron shumë, por nuk besoja se do bëhej gjë me zërin tim. Më pas më tregoi emisionin “Një këngë për ty”. Duhej të këndoja shqip “Moj e bukura More”. Isha i frikësuar sepse nuk e dija çfarë ishte një emision në televizion. Mbaj mend që nuk ishte një eksperiencë e bukur. Ky ishte emisionin i parë në Shqipëri.

Shkova në “Albanian’s Got Talent”. I thashë gjyshit nuk guxoj më të shkoj në televizion. Në atë kohë nuk kishte shumë rrjete sociale, edhe nëse bëje diçka të keqe në televizion nuk shpërndahej shumë. E provova dhe ishte komplet ndryshe. Një eksperiencë shumë e bukur me një produksion shumë të mirë që gjithmonë më ka mbështetur dhe më kanë thënë këndo çfarë të duash. E bëra këtë emsision si një lojë, se fëmijë isha, nuk kisha pritshmëri, vetëm doja ta provoja. Po shoh shumë e më shumë fëmijë që kanë problem me rrjetet sociale. Është shumë e komplikuar. Dola në vendin e tretë në “Albanian’s Got Talent”. Mami e përdorte Facebook dhe nuk më linte ta përdorja. Një ditë e kam hapur dhe ka pasur aq shumë njerëz që më shanin, nuk e kuptoja pse, unë nuk kisha bërë asgjë të keqe. Ka gjithmonë njerëz kështu. Duhet të jesh i përgatitur edhe për këto gjëra.

Një artist shumë i dashur me një sukses përtej kufijve të Shqipërisë, Gjon’s Tears rrëfehet në TAR teksa zbulon ndjesitë dhe emocionet e tij.

Pas “Albanian’s Got Talent”, isha shumë i emocionuar dhe shumë krenar. Pas emisionit, më ndalonin njerëzit të bënim foto dhe ishte kënaqësi e madhe, por s’e kuptoja çfarë po ndodhte. Më kanë thirrur edhe në “France’s Got Talent” dhe shkova.

Një pikë e rëndësishme në karrierën e tij, ishte teksa ai vendosë të distancohet pak nga muzika dhe zgjedh t’i përkushtohet studimeve.

Erdhi ai momenti që arrita në shtëpi diskografike për të nënshkruar. Unë isha 13 vjeç. U kërkova prindërve të qetësohem, të shkoj në shkollë. Mbaroj emisionet. 13 deri 18 vjeç shkova në shkollë, bëra studime normale, provova shumë gjëra, kanto lirike, mendova për muzikën klasike.

Megjithatë, pas distancimit, ai zgjedh t’i rikthehet muzikës, duke iu dashur të marrë një vendim kyç.

Erdhi momenti që duhej të zgjidhja çfarë stili doja të bëja. Unë doja të kisha plot gjëra, jo vetëm një. Doja pak muzikë klasike, pak rock, pak pop, pak elektro. Doja multikulturalizëm. Ndalova klasiken dhe nisa të përfshihem te muzika pop.

Teksa rrëfen hapat e tij në muzikë, artisti tregon për pikën kyçe të karrierës së tij, që ishte pikërisht në moshën 18-vjeçare.

Kur isha 18 vjeç, thashë në rregull e bëra shkollën, për mësues frëngjitshte. Tani thashë dua të bëj muzikë. Kam bërë muzikë vetë në dhomën time, tani dua të di si është të bësh muzikë me të tjerët, me një bandë. Doja të shihja si ishte industria e muzikës në Zvicër sot.

Pikërisht kjo ishte pika kulminante, ku artisti njehë më tepër indurstinë e muzikës dhe përfshihet në të. Koncertet, festivalet dhe shtëpitë diskografike nisën të bëheshin pjesë kryesore e jetës së këngëtarit. Ja çfarë zbulon ai ekskluzivisht për “A Live Night” në Top Albania Radio.

Pashë një letër për një akademi. Bëheshin festival, koncerte dhe në fund regjistrime në një studio shumë të famshme. Bëra casting dhe më morën. Takova muzikantët e mi, me ata jam ende tani. Erdhi momenti. Këmi bërë koncerte, festival. Regjistruam atje dhe ishte një eksperiencë shumë e bukur.

Gjon’s Tears zbulon më tepër për karrierën e tij në “A Live Night”. Ndër të tjera, ai tregoi edhe për eksperiencën e tij në The Voice.

Koncertin e fundit, më filmoi mami me telefon dhe ia dërgoi produksionit të The Voice në Francë pa më thënë mua. Më pas më telefonojnë ata dhe nuk e kuptova arsyen. Donin të më kishin dhe u kërkova pak kohë. Mendova që nuk kisha asgjë për të humbur. Kisha pak frikë. Kuptova që nuk e kam problem çfarë thonë njerëzit, por zëri im duhet të ishte perfekt.

Pas The Voice, vjen Eurovision në jetën e Gjon’s Tears.

Erdhi kjo eksperiencë dhe njerëzit më thanë çfarë zëri i bukur. Shkova deri në gjysmëfinale. Pas gjysmëfinales më morën në Zvicër te një kamp, për të kompozuar muzikë. Më thanë që ishte për të çuar njerëz në Euroviosion. Unë nuk doja të bëja vetëm konkurse gjithë jetën time, por muzikë, albume, koncerte, të shpërndaja këtë dëshirë dhe të shihja njerëzit me lotë e buzëqeshje. E kam pas parë Eurovision me sytë e fëmijës, jo për të kuptuar impaktin që ai kishte. Kuptova që ishte diçka e madhe…

Me një intervistë shumë speciale dhe të sinqertë, Gjon’s Tears na tregoi më tepër për karrierën e tij muzikore, teksa e trajtoi muzikën edhe si biznes.

Tani kuptoj që muzika është një biznes shumë i komplikuar.  Duhet muzika, promocioni, intervistat, kontratat. Muzika është puna ime, këndoj me pasion. Muzika nuk është pasioni im, muzika është puna ime, këndimi është pasion.

Ndërkohë, artisti kishte edhe një mesazh për këngëtarët që padiskutim nuk duhet humbur.

Do doja që në industrinë muzikore, gjëja më e rëndsishme të ishte muzika. Nuk është sepse rrjetet sociale dhe televizori, po e çojnë në anën vizuale. Ka plot këngëtarë që këndojnë gabim, por dinë të tregojnë një histori. Problemi është që ka plot njerëz që nuk këndojnë me të vërtetë live. Ka plot artistë që janë komplet ndryshe nga të tjerët. Kënga me kualitet gjithmonë vlerësohet, vetëm se duhet kohë për t’u vlerësuar. Ka mundësi vlerësohet kur nuk je këtu për ta parë. Jam i sigurt që puna me kualitet vlerësohet, por nuk e dimë kur. Besoj që kur isha më i vogël doja më shumë sukses, njerëz që vinin të interesoheshin për mua…