Kjo javë ka sjellë ditë të nxehta dhe duket se edhe muzika është bërë një me të. Shumë projekte të reja i janë shtuar klasifikimit të kësaj jave, duke sjellë shumë ndryshime në listë por pavarësisht kësaj vendi i parë dhe i dytë nuk ka ndryshuar. Bashkëpunimi i Kidës dhe Lyrical Son vazhdon të jetë kënga më e pëlqyer e publikut edhe për këtë javë, duke qëndruar në krye të listës ndërsa vendin e dytë vazhdon ta mbajë Dhurata Dora dhe Soolking, “Zemer”.
Sa i përket vendit të tretë, një hyrje e re është pozicionuar dhe bëhet fjalë për Ledri Vulën. Edhe pse kishte premtuar se do bënte një shkëputje nga muzika dhe koncertet, artisti ka vendosur të jetë sërish pranë publikut të tij. Sikurse edhe temperaturat e larta, Ledri ka ardhur mjaft energjik dhe me një videoklip “te nxehtë”. “Rio” mban titullin ky publikim i ri i Ledrit dedikuar Rio de Janeiro, qytetit bregdetar brazilian. Publiku e ka mirëpritur këtë këngë të re të Ledrit, jo vetëm duke e futur në listë që në javën e parë të publikimit por duke e renditur menjëherë në vendin e tretë.
Sikurse e përmendëm edhe pak më lartë, kjo është java më me shumë hyrje të reja për këtë vit. Duket se artistët po përgatiten fuqishëm për një sezon vere mjaft të nxehtë.