Eugent Bushpepa, i njohur gjthashtu si Gent Bushpepa ose Genti, është një këngëtar dhe kantautor shqiptar, i fokusuar kryesisht në rrymën rrok dhe alternative metal. Bushpepa është i njohur për sprektrin e tij të gjerë vokal dhe notat e larta dhe të fuqishme.
Bushpepa lindi në Rrëshen. Kontaktin e parë me këngën e pati që në moshën 6 vjeçare, ku u angazhua fillimisht me grupin ‘Pioneri’ dhe më pas e zgjeroi veprimtarinë e tij muzikore duke marrë pjesë në festivale të ndryshme në Shqipëri. Nisi të marrë leksione në kitarë në klasë të pestë. Me mbarimin e shkollës së mesme, shpërngulet në Bolonja, Itali, për të vazhduar studimet për mjekësi. Në vitin 2005, pas 4 vitesh në emigrim, rikthehet përsëri në Shqipëri, ku regjistrohet në Universitetin e Tiranës për të vazhduar më tej studimet e tij. Njëkohësisht, angazhohet si këngëtar në një emision të atëhershëm në Top Channel dhe që prej atëherë, vazhdon të mbetet aktiv në skenën e muzikës shqiptare.
Edhe pse karriera muzikore e Bushpepës nisi që në moshë të vogël, suksesin e gjerë në Shqipëri e fitoi nëpërmjet këngës Maska e Madhështisë” (2007), me të cilën u përfaqësua në edicionin e 4-të Top Fest. Pas pjesëmarrjes në Top Fest 4, Bushpepa merr pjesë dhe në edicione të tjera me këngë si “Viktimë” (2010), “Udhëtari” (2012), “Pranë Finishit” (2015). Në po këtë kompeticion, mori pjesë edhe me grupin “Sunrise” ku këndoi këngën “Ëngjëll”.
Përveç suksesit të padiskutueshëm në Shqipëri, talenti i Bushpepës ka bërë jehonë edhe në mediat ndërkombëtare, duke tërhequr herë pas here vëmendjen e artistëve të huaj, të cilët janë interesuar për të bashkëpunuar me artistin shqiptar. Në 2007, Bushpepa dhe grupi i tij performuan si akt hapës i koncertit të Deep Purple në Tiranë. Gjithashtu, ai shërbeu si akt mbështetës i grupit Duff McKagan gjatë performancës së tyre në Tiranë.
Gjatë Festës së Birrës 2013 të mbajtur në Korçë, Bushpepa perfomon në krah të Ron “Bumblefoot” Thal, kitaristit të Guns N’ Roses.
Në 2014, Eugenti performon si vokalist përkrahë Darkology gjatë turnet të tyre, si dhe me grupin “Overkill” në turneun europian në po të njëjtin vit, duke performuar në qytete të ndryshme të Spanjës, Portugalisë, Italisë, Zvicrës, Gjermanisë dhe Hollandës.
Gjatë 2017, Bushpepa mori pjesë në emisionin The Voice of Albania, ku shërbeu si asistent-këshilltar i skuadrës së Besa Kokëdhimës një prej kritikeve të emisionit.
Në dhjetor të 2017, merr pjesë dhe shpallet fituesi i Festivalit të 56-të të Këngës, të transmetuar në Radio Televizionin Shqiptar RTSH, me këngën e kompozuar dhe orkestruar tërësisht prej tij, “Mall”. Me fitoret e tij, i jepet dhe mundësia të përfaqësojë Shqipërinë në Festivalin Europian të Këngës (Eurovision Song Contest) në 2018.
Bazuar në një shondazh të mbajtur nga portali Wiwiiblogss para fillimit të Eurovision, në lidhje me vokalistin mashkull më të pëlqyer të publikut nga 12 vokalistët konkurrentë meshkuj, Eugenti zuri vendin e parë në preferencat e publikut, duke fituar 21.75% të votave.