Zëri i tij ka kënaqur të gjithë ndjekësit e “Top Awards” falë projektit më të ri muzikor “Stay With Me Tonight”. Përveç zërit, muzikës dhe tekstit, një bukuri të veçantë të gjithë këtij projekti i ka dhënë prania e Adrola Dushit, një prej femrave më të bukura në Shqipëri. Në një postim të bërë në rrjetet soicale, Adrola është shprehur se ndoshta nuk do e shohim më në ndonjë video muzikore, por Eugentit nuk mund t’i thoshte jo ashtu sikurse edhe Renuar Locaj, një treshe e talentuar nga Rrësheni.

I kontaktuar nga “Top Awards”, Genti ka zbuluar më shumë për publikimin e vonshëm të këngës së tij si edhe planet që ka për të ardhmen.

TA: Kanë kaluar thuajse dy vjet nga kënga juaj më e fundit, “Mall”, kush e ka meritën për këtë rikthim të fuqishëm?

Genti: (Buzëqesh) Ju mund ta quani rikthim të fuqishëm, për mua është thjesht një dalje e vonshme nga letargjia detajiste që më kishte kapluar dy vitet e fundit. Shakatë mënjanë, më mungonte një “feedback” nga publiku shqiptar.

TA: Na zbuloni më shumë për këtë projekt. Sa kohë ju ka kushtuar? Kush është kujdesur për muzikën, tekstin dhe klipin? Ku është xhiruar ai?

Genti: Klipi është xhiruar pjesërisht në Romë dhe në Shqipëri. Nismëtari i këtij klipi ka qënë një ndër miqtë e mi të përhershëm Renuar Locaj, ishte video e parë e tij. Ai ka qënë regjisor, drejtor fotografie, skenarist, operator. Më përmendni një gjë rreth këtij klipi dhe do ju përgjigjem që ai ka qënë personi që e ka vënë në lëvizje. Si projekt ka zgjatur një vit. Muzikën, tekstin dhe orkestrimin i kam krijuar vetë.

TA: “Stay With Me Tonight” ka rrëmbyer menjëherë zemrat e publikut, a ishte kjo një strategji për ta publikuar në javën e të dashuruarve?

Genti: Në fakt dalja e klipit rreth asaj periudhe ka qënë e paplanifikuar, thjesht përkoi me faktin e mbylljes së tij si projekt. Ishim me shans, besoj.

TA: Keni përzgjedhur një nga vajzat më të bukura shqiptare, a ka një arsye të veçantë pse zgjodhët Adrolën?

Genti: Perveç faktit që mendoj se Adrola është një ndër femrat më të bukura shqiptare, donim që ky produkt të ishte i gjithi “Made in Rreshen”, nga vijmë të tre. Pa fanatizëm dhe me modesti, jemi të tre shumë të kënaqur nga produkti final.

TA: Na rezulton se kjo është kënga e parë e juaja me një videoklip, a është kjo e vërtetë? Nëse po, pse keni vendosur të jeni kaq pak aktiv me projekte të kësaj natyre?

Genti: Eshtë kompozimi im i dytë me një klip, duke përfshirë këtu edhe klipin e këngës “Mall”. Gjithsesi kam edhe dy klipe të tjera të cilat nuk janë kompozime të miat. Shpesh herë detajizmi i tepërt më ka bërë të stepem nga klipet, gjithashtu ka ndikuar edhe dëshira për të mos u krahasuar ose inferioriteti komercial, publik me muzikën “mainstream” që rëndom pompohet nëpër TV ose rrjete sociale.

TA: Duket se publiku i “The Top List” ka qënë i paduruar për një projekt tëndin, të cilin këtë javë e kanë shpallur këngën më të bukur nga 100 këngë të listës, a keni një mesazh për të mbështetësit e muzikës tende?

Genti: Shpesh mungesa merr edhe konotacion pozitiv. Cuditërisht nuk e prisja, gjithsesi i falenderoj mbështetësit e mi që përkrahin artin tim por që edhe më ndihmojnë në rritjen e vetësigurisë artistike me “feedback-un” e tyre pozitiv. Me japin forcë për të vazhduar më tej akoma.

TA: Jeni një ndër artistët që derimë tani keni preferuar shumë festivalet muzikore, përmendim këtu “The Top Fest”, do vazhdoni të merrni pjesë?

Genti: “Top Fest” ka qënë vendi im i shprehjes si artist, nuk kishim limite por tanimë, sinqerisht pjesëmarrja ime e tepërt nëpër kompeticione më është shndërruar në një fobi. Për momentin do fokusohem të nxjerr muzikë pa dëshirën për t’u “krahasuar” me asnjë koleg.

TA: Cili është plani yt më i afërt sa i përket muzikës?

Genti: Video të reja muzikore dhe një koncert recital. Uroj së shpejti.