Me Arnon, emri i vërtetë i të cilit është Mario Hysneli, jemi njohur thuajse para një viti, falë projektit muzikor “4U”, ku 20-vjeçari nga Tirana së bashku me Jonisën u renditen mjaft mirë në atë kohë në klasifikimin e “The Top List”, madje duke arritur edhe vendin e dytë.
Ndërsa me Killua, emri i vërtetë i të cilit është Aris Demaj, jemi njohur përmes projektit muzikor “Ndjenja Blu”, një këngë që i përket një përzierje mes hip-hopit dhe rrymës “Blues” dhe që ka qëndruar për disa javë në klasifikim.
Kështu që këta dy artistë kanë bashkuar fuqitë, duke sjellë një projekt mjaft interesant, një përpunim të këngës së njohur “Te Molla” ose njohur me titullin “Ajshe”, kënduar më parë nga Marigona.
Që në momentet e para të publikimit, kjo këngë ka marrë vlerësime maksimale nga ana e publikut por ajo që është vënë re në këtë projekt është një mbështetje e madhe që i është dhënë Arnon dhe Killua nga artistët dhe personazhet e famshëm, të cilët kanë postuar këtë projekt në profilet e tyre personale në Instagram, duke vlerësuar talentin e tyre.
Në këtë ripërpunim të këngës “Te Molla” në një rrymë “Deep House/ Electronic”, sigurisht që nuk ka munguar edhe vokali i Jonisës, për të cilën Arnon ndihet krenar që punon me një talent të tillë.
Kjo këngë është shoqëruar gjithashtu me një klip mjaft të veçantë, punuar nga “MateFilms”. Me muzikë të Arnon dhe tekst të Killua, “Te Molla” për këtë javë renditet menjëherë në vendin e 15-të, një pozicion ky mjaft i rëndësishëm në listën e 100 këngëve më të bukura të muzikës moderne shqiptare.
Falë këtij projekti muzikor, Arnon ka arritur të lidhë një kontratë më shtëpinë diskografike “Warner Music”, e cila i ka ofruar producentit liçensimin e këngës për territorin e Rusisë, ku kjo këngë momentalisht po korr një sukses të jashtëzakonshëm në klasifikimet muzikore si dhe luhet nëpër radio dhe klube nate në Rusi. “Te Molla” ka arritur të renditet në vendin e parë në “iTunes Dance Charts” në Rusi.