Të ftuar ditën e sotme në emisionin “Live From Tirana” kanë qenë Alandy dhe Young Zerka. Dyshja ka shumë vite që bashkëpunojnë me njëri-tjetrin, duke sjellë projekte të ndryshme muzikore. Të pyetur rreth këtij sekreti dhe suksesit të tyre, që të dy kanë kontribuar për ta arritur, ata janë shprehur:
Nuk ka sekret kur ka respekt. Ka respekt, ka mirëkuptim dhe dashuri për muzikën. Është energjia më shumë.
Ky dy vjeçar ka qenë i mbushur me projekte, muzikë të re, bashkëpunime të suksesshme. Alandy ka risjellë në treg stilin ‘reggae’ dhe nga ana tjetër është sjellë kënga “Sorry”, që ka folk dhe pak ballkan brenda. Zerka është shprehur:
Ne e nisëm ribashkimin, pasi të dy kishim një pauzë. Ishin ndarë rrugët tona. Ne kemi patur një album në vitin 2013 dhe nuk u lançua edhe thamë të bënim një album tjetër para dy viteve. Këngët janë shumë të bukura, por problemi është se këngët janë në anglisht. Këtu është pak problem në anglisht.
Siç e lartpërmendëm, kënga e tyre më e njohur është “Sorry”. Të pyetur për këtë sukses të tyre, Young Zerka ka pohuar:
Ajo është një nga këngët e mia të preferuara. Alandy ka shkrirë talentin e tij aty. Është këngë e bukur. Ka edhe motivet shqiptare, edhe motivet ballkanase.
Kënga e rradhës që do të vijë nga dyshja do të ketë rrymë ‘afro-reggae’. Pra, ata do të vazhdojnë të rrijnë në rrymën e tyre, ku tashmë është bërë si tipari i tyre dallues. Por momentalisht ata janë duke shijuar suksesin e padiskutueshëm që patën nga kënga “Nafije”. Në rrjet ka patur mjaft dyshime dhe kuriozitet se kush është Nafija, nëse është dedikim apo jo.
Unë nuk para bëj dedikim. Nafija është nga telekomedia shqiptare. Aty ishte idea. Në fillim ka qenë “Bubi Kaçurrel”. Që në fillim kishim pak pikëpytje, që pse Nafije, po sikur ta ndryshojmë, etj. Por duhej dalë nga kutia dhe të shikonim pak më gjerë.
Pas realizimit fillestar të këngës, gjithashtu është realizuar edhe versioni remix me Dafina Zeqirin, Mc Kresha dhe Dj Geek. Të pyetur se si ka ardhur idea dhe konkretizimi i këtij bashkëpunimi, Zerka dhe Alandy kanë pohuar:
Kemi qenë në Zvicër dhe kontakti ynë i parë ka qenë me Geek-un. Filluan veprimet e para. Nuk ekziston konkurrenca. Gjithmonë atje ishte një energji që e kam parë vetëm nëpër filma. Pozitivitet, profesionalizëm, saktë dhe ky është fakt. Janë dy emra, që ka folur puna e tyre për ta.