Zona e nxehtë e klasifikimit të “The Top List” vazhdon të jetë thuajse e njëjtë edhe këtë javë. Vendin e parë vazhdon të mbajë treshja e dashur e publikut shqiptar, me këngën “Mendjemadhe”, me të cilën padiskutim kanë goditur në shenjë. Lyrical Son, Ledri Vula dhe Mc Kresha qëndrojnë në vendin e parë të 100 këngëve më të bukura të muzikës moderne shqiptare për të 5-tën javë.

Majk dhe Butrint Imeri janë dy artistë që i janë shtuar kësaj jave “Top 3” me bashkëpunimin e tyre “Sa gjynah”. Votat e publikut e kanë ngjitur këtë projket muzikor me dy pozicione nga java e kaluar, duke e renditur në vendin e dytë. Pavarësisht se teksti i këngës është i dhimbshëm ashtu si edhe vetë titulli, dyshja kë tërhequr vëmendjen e publikut, duke bërë që në tre javë klasifikim, të renditet në zonën e nxehtë.

Edhe pse vazhdon të jetë pjesë e treshes më të votuar të javës, Elvana Gjata është zhvendosur në vendin e tretë për këtë javë. Ndërkohë që për dy javë rresht mbajti vendin e parë, dy javët e fundit, artistja ka humbur nga një pozicion por pavarësisht kësaj, ajo po shijon suksesin e “Pa dashuri” dhe njëkohësisht të filmit, “Dy gisht mjalt”, në të cilin luan rolin kryesor.

Tayna, e cila javën e kaluar qëndronte në vendin e tretë më këngën “Kce” për këtë javë është zhvendosur në vendin e 4-t, duke humbur një pozicion.

Kjo javë ka sjellë 5 hyrje të reja në listë dhe kënga e re e renditur më mirë është “Ku ma le” e Samantës, e cila mban vendin e 28-të.