menu

Më thoni që vera mbaroi pa thënë që vera mbaroi…


Ora: 19:29 Datë: 30/08/2021

Padyshim që kjo verë ka bërë që artistët të jenë sa më produktivë dhe të sjellin sa më shumë projekte të reja. Ndoshta kjo ka qenë dhe vera me më shumë këngë të publikuara ndonjëherë. Çdo javë ka pasur shumë hyrje të reja dhe keni qenë ju ata që i keni përzgjedhur dhe i keni votuar që të jenë pjesë e “The Top List”.

Por mesa duket gjithë kësaj i erdhi fundi. Me verën që po përfundon tanimë, kemi dhe më pak projekte të reja të publikuara. Duket se tashmë këngëtarët po e shfrytëzojnë këtë kohë si një shplodhje pas një sezoni tejet të ngarkuar dhe të lodhshëm. Thënë kjo, këtë javë kemi pasur vetëm një hyrje të re në klasifikim, duke shënuar kështu dhe javën me më pak hyrje të reja.

Duket se Arnon dhe Jonisa me projektin e tyre “I Got You” po shënon fundin e sezonit të verës dhe e gjithë vëmendja këtë javë shkon vetëm tek ta dhe kënga e tyre e re. Ritme të këndshme, tekst frymëzues dhe videokip të thjeshtë dhe origjinal, kjo këngë ka atë që të nevojitet për t’u argëtuar duke e dëgjuar. Arnon na ka surprizuar shpesh herë me projektet e tij, por zgjedhja e tij e fundit për të bashkëpunuar me Jonisën, ishte ajo që solli një diferencë.

Jonisa nga ana tjetër është artistja më e re që i bashkohet “Top Awards”. Duket se kjo këngë u bë çelësi i hyrjes së saj në ‘familjen’ tonë të madhe. Megjithatë, ne presim që të kemi dhe projekte të tjera në listë nga këngëtarja tani e tutje. Zëri i saj na bëri për vete që me dëgjim të parë dhe e dimë që ajo do të korri suksese të mëdha. “I Got You” është bashkëpunimi i fundit i këtij sezoni veror dhe na duhet të themi që nuk kishim si e mbyllnim më mirë se sa kaq.