Flori Muamjesi së bashku me djemtë e tjerë  të Threedots, Brunon, Klajdin dhe Dj Vicky, bashkuan fuqitë duke sjellë rreth dy javë më parë projektin muzikor të titulluar “Karma”,  i cilësuar si varianti i ri i “Despacito”.

E shndërruar në këngën më të komentuar së fundmi, “Karma” është ballafaquar me komplimente por nga ana tjetër edhe me kritika.

Ndërkohë që një pjesë e mirë e fansava kanë uruar Florin për këtë projekt muzikor, i cili sipas tyre do të jetë hiti i kësaj vere, ka patur edhe nga që mendojnë se Flori e ka humbur paksa origjinalitetin në këtë këngë.

“Nuk je më Flori i dikurshëm”, komenton një ndjekëse e Florit në rrjetet sociale ndërsa një tjetër shton: “Po fjalët shqip mbaruan?!”.

E gjendur mes kritikave dhe komplimenteve kjo këngë ka mundur që gjatë kësaj javë të marrë mjaft vota nga publiku, duke bërë që të ngjitet me 12 pozicione në “The Top List”,  krahasuar me javën e kaluar.

Ndërkohë që një javë më parë, “Karma” pozicionohej në vendin e 35-të, këtë javë ajo renditet në vendin e 23-të.