Muzika rock është shumë më tepër sesa thjesht tinguj; është një forcë e fuqishme që përcjell energji, pasion dhe qëndrim të palëkundur. Për dekada, rock-u ka shoqëruar lëvizjet anti-raciste, rënien e Murit të Berlinit dhe zhvillimet demokratike në mbarë botën.
Miliona të rinj identifikohen me këtë mënyrë jetese, nga mënyra se si vishen deri tek mënyra se si mendojnë dhe veprojnë. Nuk mund të ishte një parathënie më e mirë për muzikën rock, se sa kjo e eventit T’Rocks Festival.
T’Rocks është një manifestim i rockerëve më të mirë shqiptarë ndër vite, yjeve të së sotmes e talenteve të së ardhmes. Mbrëmjen e 22 nëntorit, T’Rocks Festival mblodhi disa nga yjet më në zë të kësaj rryme në skenën e Parkut Olimpik “Feti Borova”, në Tiranë.
Me pjesëmarrës Aleksandër Gjoka, Bojken Lako, Jericho, Sardi Strugaj, Lynx, Ron Gjura & The Groovers, VJ Erioni, ky event solli plot energji dhe dinamikë tek publiku. Ky edicion i tretë i këtij festivali ishte ndër më magjikët me këto emra të mëdhenj të muzikës rock.