Pas shumë vitesh shkëputje nga “The Top List”, Vedat Ademi rikthehet sërish dhe madje më fuqishëm se kurrë. Së fundmi ai ka bashkuar forcat me Klejti Mahmutaj për të sjellë “E dua”.
Kjo këngë kaq romantike vjen si një himn dashurie për të gjithë publikun dhe jo më kot na ka rrëmbyer menjëherë zemrat. Dy zëra kaq të fuqishëm e njëkohësisht kaq të ëmbël si të Vedatit dhe Klejtit, janë kombinuar kaq mirë me njëri-tjetrin sa duhet thënë që ky projekt nuk mund të bëhej më mirë se kaq.
“E dua” i ka pozicionuar artistët në vend të 10-të të klasifikimit për këtë javë. Një renditje goxha e mirë duke marrë parasysh se është ende një hyrje e re.
Shpresojmë që Vedat Ademin ta shohim edhe më shpesh me projekte muzikore tani pasi na kishte munguar shumë. Rikthimi i tij na solli ndërmend shumë nostalgji dhe na rikujtoi edhe njëherë disa nga këngët e tij më të pëlqyera ndër vite që ende këndohen dhe pëlqehen edhe sot nga i gjithë publiku.
Nga ana tjetër Klejti Mahmutaj është një artist i ri për Top Awards. Edhe pse i ri në moshë, presim shumë nga një djalosh i talentuar si ai në projektet e radhës.