Pavarësisht se jemi në kulmin e verës, vetëm tre projekte të reja muzikore i janë shtuar listës zyrtare të “Top Awards” këtë javë. Duket se artistët janë shumë të ngarkuar me koncertet e tyre dhe si pasojë kanë lënë paksa pas dore prodhimin e projekteve të reja,
Edhe pse janë vetëm tre këngë të reja që janë futur në klasifikimim, ajo çfarë është vënë re këtë javë është renditja e tyre shumë e mirë në “The Top List”, duke u futur të treja në “Top 15”.
Luana Vjollca dhe Faydee – Yalla Habibi
Kënga e renditur më mirë është bashkëpunimi surprizues i Luana Vjollcës dhe Faydee, “Yalla Habibi”, i cili është pozicionuar menjëherë në vendin e 5-të. Duket se një ndikim të madh në renditjen e kësaj kënge ka patur performanca e shkëlqyer që dyshja bëri në koncertin e Digitalb më 15 Korrik. E gjendur mes kritikave dhe komplimentave, Luana ia ka dalë të futet në 5-shen e këngëve më të dëgjuara të javës.
Soni Malaj ft. Agon Amiga & Daim Lala – Ta Fala
Soni Malaj ka bashkuar fuqitë me dy artistë, Agon Amiga dhe Daim Lala, për projektin e saj më të ri muzikor, ritmi i së cilës i nevojitet kësaj vere. Treshja e njohur ka qënë gjithashtu e pranishme në koncertin e Digitalb, duke sjellë një performance dhe një atmosferë shpërthyese në Sheshin Skënderbej. “Ta fala” titullohet kjo prurje e re muzikore e tre këngëtarëve, e cila është renditur menjëherë në vendin e 9-të, edhe pse është një nga hyrjet e reja të javës.
Fifi – Indiane
Fifi ka vendosur të prezantohet ndryshe këtë verë si në stil muzikor ashtu edhe në “look”, duke ardhur si një indiane e vërtetë. Publiku e mirëpritur këtë prurje të re muzikore të artistës, të cilën e kanë renditur menjëherë në vendin e 15-të, një pozicion ky mjaft i rëndësishëm për një hyrje të re. Teksti i “Indiane” është punuar nga vetë artistja ndërsa muzka mban vulën e Kledi Bahitit.