Ndryshime të mëdha për sa i përket Top 5 edhe për këtë herë. Renditja e kësaj jave na ka surpizuar disi. Arilena Ara ka arritur që të rrëmbejë fronin edhe për këtë javë me baladën e saj “Ke me mungu”.
Vendi i dytë për këtë javë ka shkuar për Killuan me “Bagëti e Bujqësi”, i cili është rritur me 8 pozicione nga java e kaluar. Duket se publiku e ka pritur mjaft mirë këtë këngë që ka vetëm 2 javë si pjesë e klasifikimit dhe deri tani po korr sukses të mëdha.
Në vend të tretë është Adriano me projektin e tij të ri, “Por favor”. Kjo këngë duket se do e tejkalojë hitin e tij të kaluar “Nale”, por na mbetet që të presim se çfarë na kanë rezervuar javët që do vijnë.
Surpriza më e madhe e kësaj jave ka qenë padyshim projekti i Elai, një artisti që i është bashkuar vetëm javën e kaluar familjes së Top Awards, me dy këngë. “Lale” është rritur me plot 50 vende nga java e kaluar, një hap i madh ky për Elai.
Nga ana tjetër në vend të pestë për këtë javë qendron “N’dikon ndikon”, bashkëpunimi i Shpat Deda dhe BimBimma. Një projekt që sjell në vëmendje realitetin në të cilin po jetojmë. “N’dikon ndikon” ka zbritur me 3 vende në pozicionim nga java e kaluar.