Fifi është padyshim një nga artistet më të njohura dhe më të talentuara të tregut. Ajo ka korrur suksese të padiskutueshme me projektet e saj që janë kthyer në hite e që dëgjohen kudo.

Fifi gjithashtu ishte një nga banoret më të komentuara të këtij edicioni të “Big Brother VIP”. Edhe pse ajo e la lojën më herët nga sa ishte menduar, Fifi ia ka dalë që të lëri gjurmën e saj aty.

Gjatë qëndrimit të saj në shtëpi, këngëtarja nuk mund ta linte pas shpirtin e saj të artistes dhe kompozoi një këngë të re brenda shtëpisë. Këtë krijim të sajin, dy miqtë e saj më të ngushtë, kantautorët e njohur Flori Mumajesi dhe Bruno e sollën si një ‘demo’ të mirëfilltë.

Tashmë edhe pse në versionin audio, kjo këngë po korr një sukses shumë të madh që po vjen duke u rritur dita-ditës. Prej kohësh tanimë, kjo këngë ka rrëmbyer zemrat e shqiptarëve, të cilët e dëgjojnë dhe këndojnë kudo.

Edhe pse “Diell” ka pak muaj që është publikuar, për çudinë tonë vetëm këtë javë ka hyrë në klasifikimin e “The Top List”. Mbase sepse dëgjuesit po prisnin që ky projekt të kompletohej së bashku me një videoklip. Megjithatë, “Diell” jo vetëm që ka hyrë në klasifikimin e 100 këngëve më të mira shqiptare, por është pozicionuar në vend të pestë për këtë javë.