E ftuar në emisionin “Live From Tirana” ka qenë artistja e njohur, Loré, emri i vërtetë i të cilës është Lorela Karoshi. Ajo ka publikuar këngën e saj më të re që mban titullin “Të du”, e cila ka hyrë këtë javë në klasifikimin e “The Top List”, madje duke u pozicionuar në vend të pestë. Lore na ka treguar se si u krijua kjo këngë, por dhe shumë detaje të tjera të pazbuluara më parë…
Si lindi “Të du”?
E kemi nisur këtë cikël të ri me një koncept të qartë. E nisa me “Po largohem”, që ishte hallka e parë e këtij cikli gri me balada pop. Janë vazhdimësi e njëra-tjetrës. Flet për braktisjen e një epoke tënden për t’u hedhur tek diçka e re, më e bukur. U largova nga diçka në jetën time, nga vetja ime e vjetër për të hyrë në këtë kapitull të ri. “Të du” flet për të dashur veten në këtë kapitull të ri. Ne jemi projekti ynë më i madh i jetës sonë. Për këtë flet, por mund të merret edhe si një dedikim dashurie.
Sa e vështirë është të jesh unike në tregun muzikor shqiptar?
Është e vështirë sepse edhe të jesh komercial do njëfarë mjeshtërie, që kënga të dalë në sipërfaqe e të shkojë te veshi i njerëzve. Nuk është vetëm çështje e të mos bërit kompomis. Do vijë dhe ajo që të afrohesh më shumë me atë që dëgjojnë njerëzit sot, por me prekjen time dhe kjo është e veçanta, ajo që të identifikon.
Kur do të vijë kënga e re?
Për 2-3 javë, ky është afati që i kemi lënë secilës këngë. Vazhdon të jetë pjesë e këtij cikli, për të mësuar më shumë historinë dhe atë që do të vijë më mbrapa. Sepse siç e thashë, do të lidhen me njëra-tjetrën.
Cilin nga artistët shqiptarë por dhe të huaj do të zgjidhje për një bashkëpunim?
Mendoj se do të shkoja mirë me një reper. Do të zgjidhja Killua që e kam shumë xhan, ose Lyrical Son. Nga të huajt kam shumë në mendje, kohët e fundit jam fiksuar me Stormzy. Por dhe Kendrick, apo Kanye që është një gjeni.