Ndërkohë që kreu i listës nuk ka pësuar shumë ndryshime nga java e kaluar, shumë këngë të tjera të listës janë votuar më shumë nga publiku shqiptar, duke u ngjitur sa më lart në klasifikim. Froni mbetet i njëjtë për të katërtën javë radhazi, me Luiz Ejllin që triumfon sërish me projektin “Dedikim”.

Por disa këngë po ngjiten menjëherë në listë. A mos do rrezikohet vendi i parë në javën e ardhshme? Ja se për cilat projekte po flasim…

Projekti më i ri i MatoLale, “Diamante” ka arritur që të pësojë rritjen më të madhe në klasifikim me plot 49 vende më lart nga java e kaluar. Me vetëm 2 javë në klasifikim, Mato është renditur në vend të 51-të.

Një nga projektet që po surprizon mjaft, po ashtu është dhe “Me ty pa ty” nga Elgit Doda. Duket se kjo këngë edhe pse pa një klip, po tërheq gjithnjë e më shumë dëgjuesit. “Me ty pa ty” është rritur me 34 pozicione duke u renditur në vend të 34-të.

Një tjetër projekt që është rritur gjithashtu shumë është dhe “Si mua”, bashkëpunimi i Dafina Zeqirit dhe Elgit Dodës. Duhet thënë se kjo është një nga këngët më të pëlqyera por dhe më të komentuara të momentit. “Si mua” është ngjitur me 31 pozicione dhe renditet në vend të gjashtë të listës.

“Win Win” nga Ledri Vula dhe Capital T është rritur me 26 pozicione këtë javë. Kjo këngë e ka pozicionuar dyshen në vend të 50-të.

Një rritje disi të konsiderueshme në krahasim me projektet e tjera të listës ka pësuar dhe projekti “Rri”. Kjo këngë e re solo e Ledrit është ngjitur në listë me 17 pozicione nga java e kaluar.