“Mono” është një ndër hyrjet më të reja të kësaj jave, e cila ka arritur të shndërrohet menjëherë në këngën më të përfolur të momentit.
Alban Kondi, Bojken Lako dhe Kastro Zizo janë treshja që i kanë dhënë shpirt këtij projekti muzikor, i cili këtë javë ka rrëmbyer kreun e “The Top List“, duke u shpallur kënga më e votuar e javës.
Alban Kondi dhe Kastro Zizo janë dy krijuesit e kësaj prurjeje të re muzikore, të cilët kanë ftuar edhe artistin Bojken Lakon.
“Tre miq, tre kohë në një vepër“, shkruan Kastro Zizo në një postim në Instagram sa i përket këngës së re.
Në postimin e tij, Kastro ka shtuar gjithashtu: “Më shumë se kurrë në këto kohë vlerësuam ata që vërtetë na duan dhe i duam shumë…shpesh krijojmë “qeli” në vete, duke rëne pre e vetmisë dhe krijimit të “armiqve” imagjinare, duke zhytur veten në humnera pa shpresë…natyrshëm erdhi dhe projekti “MONO” për të gjithë ATA/NE që e duam jetën shumë dhe dritën e diellit duam ta shohim gjatë…”
Nga ana tjetër, Albani ka shpjeguar se ky është vetëm fillimi i asaj që po vjen pasi artisti po përgatitet të sjellë albumin e tij.
Sa i përket pozicionimit në vendin e parë, në një intervistë të dhënë për “Dilema Sociale”, Bojken është shprehur se ndihet shumë mirë pasi ka shumë kohë që nuk kishte përjetuar ndjesinë e të qënurit “Top 1”.