Duket se edhe me hyrjet e reja në klasifikimin e “The Top List”, disa këngë i kanë rezistuar kohës. Ato vazhdojnë dhe janë ende pjesë e renditjes së 100 këngëve më të mira shqiptare, të paktën tani për tani. Por për cilat projekte po flasim?

Kënga e Encës, “Nashta” duket se nuk po lëviz vendit nga klasifikimi. Kjo këngë, e cila ka rezultuar tepër e pëlqyer nga publiku shqiptar, i dedikohet një dashurie të përfunduar. “Nashta” ka bërë të gjithë fansat kuriozë se kjo këngë mund të jetë një dedikim personal për këngëtaren. Kjo këngë është prej 35 javësh pjesë e klasifikimit.

“Mono” e sjellë nga Bojken Lako, Kastro Zizo dhe Alban Kondi, është githashtu prej 35 javësh si pjesë e klasifikimit. Bashkëpunimi i tre artistëve që goditi në shenjë, po i reziston kohës dhe prurjeve të reja. Këngët komerciale patjetër që pëlqehen nga kushdo, por ajo që bën diferencën është një këngë e mirë dhe e plotësuar në çdo këndvështrim. “Mono” është pikërisht shembulli konkret i atij projekti që transmeton vlera dhe talent, pa pasur nevojë për shumë bujë e për publicitet.

“Prologue” nga Ronela Hajati rezulton gjithashtu shumë e pëlqyer nga publiku. Kjo këngë ka provokuar mjaftueshëm fansat dhe madje në rrjete sociale, Ronela është kritikuar paksa për stilin, duke pritur një këngë ritmike por njëkohësisht edhe për videoklipin. Madje disa prej tyre e kanë krahasur me stilin e Dafina Zeqirit. Gjithsesi dhe kritikat kanë funksionuar duke shkaktuar bujë tek kjo këngë pasi “Prologue” është prej 33 javësh si pjesë e klasifikimit.

Projekti i Capital T, “Diego” qendron prej 31 javësh në “The Top List”. Me këtë këngë Kapo ka sjellë fokusin tek Maradona. Në tekstin e këngës, Capital T ka prekur faktin se shumë artistë po ankohen për shkak të karantinës, se kanë shpenzuar të ardhurat dhe po presin me padurim hapjen e klubeve të natës, por reperi iu sugjeron që të shkojnë të marrin kredi tek baba, duke iu referuar kështu vetes së tij. Gjithsesi ky projekt ka shkaktuar bujë pasi fansat ishin të bindur se në një frazë të tij, ai i referohet Adrola Dushit, që u përfol aq gjatë për një marrëdhënie mes tyre.

Që Bardhit i shkojnë baladat, kjo nuk është më sekret. “Lot”, projekti i tij qendron prej 30 javësh si pjesë e klasifikimit. Edhe pse “Betohemi” është hiti i tij i padiskutueshëm, kjo këngë e ka konkurruar ndjeshëm për sa i përket jetëgjatësisë në listë.