Gjon’s Tears, artisti i njohur që na ka bërë krenarë me arritjet e tij, u quajt “Zëri i një engjëlli” nga Eurovision. Së fundmi artisti ka publikuar projektin “Silhouette”, një këngë që thotë shumë për të. Gjon ka rrëfyer për “Wake Up” më shumë lidhur me këtë projekt por jo vetëm.
Por përse zgjodhi pikërisht 14 janarin për ta publikuar këngën? Ka ndonjë domethënie?
Kjo do të ishte publikuar vitin e kaluar, por hasëm pak probleme teknike. Kur erdhi pyetja se kur do të publikohet, thashë sa më shpejt të jetë e mundur. Njerëzit presin sa më shumë material nga unë. Tani e di më shumë se çfarë dua të bëj muzikalisht.
“Silhouette”, një këngë shumë e realizuar përsa i përket tekstit, mesazhit, melodisë, anës vizuale dhe asaj estetike. Duke qenë se ka shkruar një këngë që do të thotë shumë për të, sa personal është si projekt?
Është shumë personale për mua se mënyra dhe kushtet kur e kemi bërë ka qenë para Eurovizionit. Doja vërtet ta publikoja se fillimisht kur erdhi ideja e konceptit, unë kam qejf këngë me ndjenja, me emocion, siç e kam emrin. Doja të flisja për ndjenjat e të gjithë njerëzve që me familjen e tyre kanë ikur nga Kosova. Doja të hyja në lëkurën e tyre. Të dish se çfarë do të thotë të largohesh dhe të lësh dikë pas. Kjo eshte silueta. Është një temë që e kishim mundësinë ta zhvillojmë. Punova me një shkrimntar që ka punuar dhe me Celine Dion, prandaj erdhi dhe frengjisht kënga. Frengjishtja godet dhe është më e rënde.
Çfarë muzike dëshiron më tepër gjon që të krijojë, duke qenë se e kemi parë në disa lloje projektesh?
Për albumin dua të kem një diversitet sa më të madh. Nuk dua vetëm album, dua një playlist. Se dhe unë vetë jam kështu. Disa ditë jam me humorin e “Dance Me”, kurse disa ditë pëlqej të dëgjoj këngë më të ndjera si të “Coldplay”. Unë nuk bëj muzikë për vete. Bëj muzikë për të tjerët. E di që në stilin e baladës e prek publikun, e di që do e pëlqejnë se për atë më kanë njohur dhe për atë më duan. Këtë stil dua të shohin dhe në album.
Së fundmi ka pasur dy bashkëpunime të njëpasnjëshme, një me Arilena Ara në “Dance Me” dhe një me Rona Nishliun, “Mallëngjimi”. Mos do të thotë kjo që të bashkëpunosh me të duhet patjetër të jesh pjesë e Eurovision? A mos duhet të presim një bashkëpunim tani me Ronela Hajatin?
Këtë nuk e di (qesh). Jam i sigurtë që Ronela do të jetë e motivuar për bashkëpunim me mua. E takova tek “Kënga magjike” për herë të parë. Une e kam kënduar dhe kërcyer këngën “A do si kjo” të saj, por nuk e dija që ishte e saj. Kur ma ka treguar jam surprizuar.
Si lindi bashkëpunimi me Ronën, e kujt ishte ideja?
Kur më kanë thëne se do të bashkëpunoja me Ronën e kam pranuar direkt. Çdo vit e bejnë në RTK për të kënaqur njerëzit në festat e fundvitit dhe ma kanë propozuar si bashkëpunim. Takimi me të ishte shumë i bukur se ajo është shumë e thjeshtë, ishte kënaqësi të punoja me të. E kemi bërë këngën pa problem, më ka besuar për versionin e këngës. Ishte një eksperiencë shumë e bukur, unë thashë direkt ‘po’ kur më thanë se do të bashkëpunoja me të. Ajo nuk provon të jetë dikush që nuk është. Ajo nuk provon me stilin që nuk bën për të, ajo e di se çfarë do dhe e mbron atë.
Në MTV Europe Music Awards 2021, Gjon ka fituar çmimin “Performuesi më i mirë zviceran”, lajm i cili padyshim na gëzoi të gjithve. Po atë vetë sa e gëzoi dhe cili është qëllimi i tij më i madh në anën profesionale në vijim?
Nuk e di a prisja ndonjë gjë, është surprizë për mua kur të voton publiku. Kur fiton një çmim nuk do të thotë se je më i miri, do të thotë se je më i pëlqyeri. Kjo ka shumë presion. Se je sot më i pëlqyeri, por nuk je nesër. Është një kënaqësi për mua. Dua që të jem më i miri, por gjithmonë e di se nuk do të jem më i miri.
“Silhouette” ka arritur që të ketë një pozicionim shumë të mirë këtë javë duke u renditur në vend të gjashtë të klasifikimit të “The Top List”.