Ai u bë i njohur për publikun shqiptar rreth 8 muaj më parë, falë projektit “Per cdo nate”, me të cilin bëri debutimin në tregun muzikor.

Bëhet fjalë për Estto-n, talenti më i ri në muzikë, i cili po ecën mjaft mirë edhe pse është në hapat e para të muzikës.

Vetëm një javë më parë, ai ka publikuar këngën e tij më të re me “Nuk kam faj”, e cila është bërë menjëherë pjesë e klasifikimit të “The Top List”.

I kontaktuar nga “Top Awards”, Estto ka treguar se si ka ndryshuar jeta e tij gjatë kësaj periudhe.

TA: Kanë kaluar thuajse 8 muaj që nga publikimi i këngës suaj të parë, sa ka ndryshuar jeta juaj gjatë kësaj periudhe?

Estto: Të them të drejtën jeta më ka ndryshuar shumë por pozitivisht sepse gjatë gjithë kohës kam takuar njerëz të rinj, të cilët më kanë mbështetur dhe më kanë shtyrë përpara që të ecë me hapa më të shpejtë dhe ma kanë vlerësuar shumë talentin, të cilin e kam për muzikë.

TA: Për çfarë flet projekti juaj i ri muzikor?

Estto: Projekti flet për një ngjarje dashurie ku njëri nga personat ikën nga lidhja dhe e lë personin tjetër të vetmuar, gjë kjo që ndodh shumë shpesh në lidhje.

TA: Kush është kujdesur për muzikën, tekstin dhe klipin?

Estto: Për muzikën dhe tektin jam përkujdesur vetë unë, kurse për videoklipin Andi Dautaj, një djalë shumë i talentuar, i cili dita dites po bëhet i njohur për njerzit me videot e tij.

TA: “Nuk kam faj” duket se ju ka sjellë paksa më romantik, a është kjo e vërtetë? Cilës rrymë muzikore i përket ajo?

Estto: E vertetë është që më ka sjellë pak më romantik por që edhe në jetën e përditshme jam romantik… (qesh). Kështu që edhe do vazhdoj të shkruaj për dashurinë. Sa i përket zhanrit, kjo është më shumë “Rnb” dhe “Pop” e kombinuar në dy zhanre.

TA: Si është pritur kënga nga publiku?

Estto: Kjo është një ndër këngët më të pëlqyera deri tani që kam publikuar edhe komentet nga publiku janë jashtëzakonisht të mira dhe po më japin shumë vullnet që të mundohem sa më shumë për projektet e ardhshme.

TA: Që në javën e parë të publikimit, jeni bërë pjesë e “The Top List”, si ndiheni për këtë?

Estto: Të them të drejtën po ndihem shumë i kënaqur dhe shumë falenderues sepse që kur kam publikuar projektin e parë, më ka mbështetur në çdo moment dhe normal që kjo është një mbështetje shumë e madhe për mua, kështu që ju falenderoj shumë.

TA: Për këtë javë pozicionoheni në vendin e 75-të, cili mendoni se do të jetë pozicionimi juaj javën e ardhshme?

Estto: Sipas komenteve të cilat i kam marrë gjatë gjithë kohës që kur kam publikuar këngën, mendoj që kënga do të futet në “Top 10”, normal sipas mendimit tim (qesh).

TA: Një falenderim për fansat që të kanë votuar….

Estto: Falenderoj shumë të gjithë ata që më kanë votuar dhe ju them që nuk do iu zhgënjej asnjëherë.