I ftuar  në emisionin “Lancio” në Top Albania Radio me anë të një lidhjeje telefonike ishte një artistët më të talentuar të tregut, Estto. Projekti i tij është pjesë e “The Top List” dhe gjithashtu ka qenë pjesë e “Top 100” këngëve për vitin që lamë pas, falë vlerësimit nga dëgjuesit dhe publikut që e përkrah. I pyetur në lidhje me këtë arritje të tij, ai është shprehur:

Këtë e vlerësoj shumë dhe për mua ka qenë një gjë pozitive. Në fillim kur e kam parë që është futur si këngë e re dhe më pas u rrit në klasifikim, aty kuptova që është pëlqyer.

Duke qenë se ai nuk jeton në territorin shqiptar, Estto është shprehur në lidhje me këtë zgjedhje të tij personale:

Këtej kam ardhur për punë shkolle. Jam duke mbaruar shkollën. Më saktë është si një kurs. Është për mix master. Kam ardhur për ta vazhduar dhe zgjat rreth tre muaj.

Estto ka nisur karrierën e tij si Deejay, ku ka patur mjaft bashkëpunime me Dj Aldo dhe me NRG Band. Më pas, ai është përfshirë në botën muzikore, ku gjithashtu ka realizuar mjaft projekte në bashkëpunim me emra mjaft të njohur si Genc Prelvukaj, Çiljeta Xhilaga, Soni Malaj. Sipas tij bashkëpunimi më i preferuar ka qenë me Çiljetën. Ai ka shtuar:

Ka qenë projekti që më ka rritur më shumë nga ana artistike. Ajo këngë shpërtheu më shumë. Çiljeta i dha mjaft peshë. Unë kam qenë aty duke e shkruar. Ajo i ka dhënë vulën në fund. Kam mjaft respekt për të dhe i mbajmë goxha kontaktet. Gjithashtu edhe me Soni Malaj.

Në lidhje me bashkëpunimet e ardhshme dhe projektet e reja nga ana e këngëtarit, ai ka zbuluar se:

Së shpejti është planifikuar edhe një bashkëpunim tjetër me Soni Malaj. Akoma jemi duke menduar për diçka ritmike për sezonin e verës. 

Duke qenë se ai ka eksperimentuar goxha në karrierën e tij duke kaluar nga Deejay në këndimin e këngëve vajtuese, duket se Estto është i qartë në lidhje me zgjedhjet që publiku preferon. Ai është shprehur:

Tregu shqiptar pëlqen këngë ritmike, që janë të kërcyeshme, por që kanë tekst vajtues. 

Qëndrimi i tij në Suedi ka qenë mjaft i rëndësishëm për të, por ai ka zgjedhur të zhvillojë karrierën në Shqipëri. Kryesisht ai ka rezultuar mjaft i suksesshëm, por ka patur raste që mund të ketë marrë edhe refuzime.

Kur bëj bashkëpunime me dikë, unë gjithmonë zgjedh artistin që më përshtatet. Kam dëshiruar të realizoj një projekt që të ishte pak ritmik me Teuta Selimin, por që nuk shkoi siç duhet pasi nuk jam pjesë e asaj rryme.