Periudha e pandemisë na ka sjellë mjaft projekte të bukura dhe një ndër to është padiskutim “Free”, një bashkëpunim mes Dea Strica dhe Eltina Minarolli.

Dy artistet, të cilat kanë vite që bashkëpunojnë me njëra-tjetrën, kanë vendosur të vijnë me një mesazh mjaft të rëndësishëm në prurjen e tyre të radhës dhe që nga titulli nënkuptojmë që ajo i dedikohet lirisë.

“Free”, e cila padiskutim të fal një qetësi shpirtërore, ka marrë sugjerimet e mjaftueshme nga ana e publikut, duke iu bashkuar këtë javë klasifikimit të 100 këngëve më të bukura të javës.

Në një intervistë të dhënë për “Top Awards”, Eltina ka rrëfyer gjithcka në lidhje me miqësinë e saj me Dean, projektet e fundit që ka publikuar si edhe bashkëpunimet ndërkombëtare që priten të publikohen së shpejti.

TA: Si lindi bashkëpunimi mes Dea Strica dhe Eltina Minarolli?

Eltina Minarolli: Përshëndetje të gjithë lexuesve si fillim dhe ju për intervisten! Bashkëpunimi im me Dean në fakt ka vite që ka nisur, kur në atë kohë Dea shkruante tekstet e këngëve të mia e tashmë, Dea është bashkëpuntorja ime më besnike, e cila me talentin e saj unik më ndihmon edhe në krijimet e produksioneve të ndryshme. Besoj se në unitetin tonë kemi gjetur shumë grimca të përbashkëta, të cilat kur bashkohen, krijojnë magjinë. Kjo është fuqia e muzikës dhe e krijuesve të saj, kur merr shkëlqim nga dy yje të ndryshëm.

TA: Sa projekte numëroni së bashku?

Eltina Minarolli: Të publikuara tashmë kemi 7 projekte por së shpejti planifikojmë të publikojmë edhe albumin tonë të ri si duet, i cili do jetë pjesë e playlistave të ndryshme në Spotify, iTunes dhe cdo platformë tjetër dixhitale, ku cdokush do ketë mundësi ta dëgjojë albumin dhe nëse do dojë t’ja shtojë playlistës personale, mund edhe ta blejnë si album të plotë.

TA: Cili është mesazhi i këngës “Free”? A ka lidhje me situatën ku gjendemi momentalisht?

Eltina Minarolli: Që nga titulli vetë, nënkuptohet se mesazhi kryesor i këngës është LIRIA. Ajo që sidomos në këto kohë, na mungoi shumë dhe na u desh të përballeshim me një situatë që nuk e kishim parashikuar në jetët tona, por na mësoi dicka se liria në të vërtetë ndodhet brenda nesh dhe jemi vetëm ne ata që kemi në dorë lirinë tonë. Qoftë ajo fizike, mendore, shpirtërore apo cdo lloj dimensioni tjetër i lirisë. Për të gjetur lirinë, ne duhet të gjejmë në rradhë të parë paqen me veten e ne momentin që kemi gjetur paqen, liria lundron qetësisht në rrjedhën e saj dhe ne bashkë me të, kalojmë lehtësisht shtigje që mund të duken të vështira praktikisht.

TA: Me cilët keni bashkëpunuar për këtë projekt muzikor?

Eltina Minarolli: Unë jam vetë producente muzikore prej 7 vitesh tashmë dhe pothuajse të gjitha këngët e mia se fundmi, janë produksion i imi. Në rastin e këngës “Free”, bashkëpuntorja e vetme është Dea, e cila ka shkruar tekstin dhe më ka ndihmuar në krijimin e melodisë. Këngët tona i krijojmë dhe kurojmë vetë, në cdo detaj. Por absolutisht pa mbyllur asnjë mundësi apo bashkëpunim nga një palë e tretë nëse do dëshironte të na bashkohej. Bashkëpunimet tona të fundit në fakt kanë qënë vetëm me artistë të huaj dhe së shpejti do ju rikthehemi këtyre bashkëpunimeve me artistë ndërkombëtar por deri atëherë, do flasim në një moment të dytë (buzëqesh).

TA: Si ka qënë për ty kjo periudhë pandemie, ka rezultuar krijuese?

Eltina Minarolli: Për mua personalisht kjo ka qënë periudha më perfekte dhe kreative që kam patur në gjithë këto 20 vite karrierë si artiste profesioniste. E meqë po flasim për LIRINE, ky ishte viti ku unë më në fund arrita e lirë të krijoj e të “qendis” në mënyrën më perfekte cdo melodi të shpirtit tim, në studion time.

Eltina Minarolli: Këngët e fundit që kam lancuar janë “Voyage”, “Dashni”, “La La Love” dhe “Poradeci” një dedikim qytetit tim të lindjes dhe një bashkëpunim me poetin e penës së artë Lasgush Poradeci. Këngë, të cilat janë krijime dhe rryma të ndryshme muzikore si në emocion po ashtu edhe në melodi dhe mesazhet që vetë këto këngë përcjellin.

TA: Cilat janë planet e kësaj vere?

Eltina Minarolli: Ka shumë plane në fakt. Sic e përmenda dhe me sipër, do i rikthehemi bashkëpunimeve tona internacionale me artistë të ndryshëm të talentuar, e ndërkohë si dueti Eltina & Dea do ketë album, këngë të reja, videoklipe të reja dhe shumë projekte të tjera që do përfshijnë radion dhe televizionin. Për të qënë më të apdatuar, ftojmë gjithë dashamirësit e muzikës tonë të na ndjekin në rrjetet tona sociale apo platformave dixhitale si Spotify, iTunes etj.