Klasifikimi i “Top Awards” vijon të sjellë ndryshime nga java në javë, pavarësisht se për tre javë rresht kreu mbetet i njëjtë.

Capital T nuk është mposhtur as edhe këtë javë pasi falë mbështetjes së publikut, “Diego” mban kreun e 100 këngëve më të bukura të muzikës moderne shqiptare.

Ndërkohë që kreu mbetet i njëjtë, ndryshime të bujshme kanë ndodhur në listë.

Por cilat janë ngjitjet më të bujshme të javës?

“Ndoshta ke harruar emrin tim”, bashkëpunimi me Boocky DJ dhe Art Abazit është një ndër këngët që është votuar pafund këtë javë, duke u rikthyer sërish në qendër të vëmendjes. Votat e publikut e kanë ngjitur me 72 pozicione nga java e kaluar dhe kështu kënga është futur në “Top 10”.

Dea Strica dhe Eltina Minarolli është një prej dysheve mjaft të talentuara të “The Top List”, të cilat javën e kaluar debutuan në klasifikim me këngën “Free”. Kjo javë e ka pozicionuar bashkëpunimin e dy mikeshave në vendin e 22-të, duke e ngjitur me 76 pozicione nga një javë më parë.

Versioni akustik i këngës “Do të doja” nga Naser Berisha është përqafuar shumë nga publiku i “Top Awards”, duke e votuar pafund. Kënga, e cila fillimisht është krijuar thuajse 11 vite më parë, vijon të përcojë emocione tek publiku dhe këtë e vërteton ngjitja e kësaj jave, me plot 75 pozicione nga java e kaluar.

Ndërkohë që javën e kaluar, “Lot” u konsiderua si një nga debutimet më të dobta të artistit, këtë javë, mbështetësit e Bardhit janë bërë bashkë dhe e kanë ngjitur prurjen e tij më të re me 57 pozicione, duke e renditur në vendin e 40-të.