Çdo javë “The Top List” bën klasifikimin e këngëve më të dëgjuara dhe të votuara, projekte muzikore të cilat arrijnë ta përballojnë këtë treg kaq konkurrrues.
Ndërkohë që disa prej këngëve kanë “zënë rrënjë”, duke u shpalluar si projektet muzikore më jetëgjatë në klasifikim, ka edhe nga ato këngë të cilat nuk arrijnë ta përballojnë konkurrencën.
Së fundmi disa prurje të reja muzikore kanë mundur të qëndrojnë në listë për një kohë të shkurtër, duke mos marrë votat e mjaftueshme dhe si pasojë kanë mbetur jashtë.
Por çfarë ka ndodhur realisht?
Një ndër këngët që ka qëndruar shumë pak në klasifikim është projekti më i ri i Fero-s “Jom rrit“. Kjo prurje e re e reperit ka mundur të qëndrojë në listë vetëm dy javë. Duket se ndryshimi i shtëpisë diskografike të Fero-s ende nuk është përqafuar nga fansat e tij, të cilët nuk e kanë mbështetur me vota këngëtarin e tyre të preferuar.
Arbër Skënderaj është një tjetër këngëtar që nuk ka mundur ta përballojë konkurrencën në këtë klasifikim. “Mos guxo” mban titullin kjo këngë e Arbërit, e cila ka qëndruar në “The Top List” vetëm për një javë. Pavarësisht se ky është projekti i dytë i këtij këngëtari, duket se publiku ende nuk është njohur me talentin e tij dhe si pasojë nuk ka patur shumë mbështetje në klasifikim.
“Amoni” e Tunës është githashtu një nga projektet muzikore që ka qëndruar për një kohë mjaft të shkurtër në klasifikim, ekzaktësisht dy javë. Tuna erdhi në një stil paksa ndryshe në këtë këngë, larg stilit në të cilin erdhi në albumin e saj dhe duket se publiku nuk është treguar aq dashamirës me këtë stil muzikor ndryshe të këngëtares.