Dyshja e suksesshme dhe shumë e dashur për publikun, Dafina Zeqiri dhe Ylli Limani, janë bërë përsëri bashkë për një duet të radhës. Dyshimet u ngritën para pak kohësh teksa të dy artistët publikuan në llogaritë personale të Instagram-it, dy foto të ndryshme me mbishkrimin “Jom ka du me t’pa”.
Ky projekt ka hyrë menjëherë në klasifikimin e javës në “The Top List”. Përveç faktit që këta dy këngëtarë janë bërë sërish bashkë, vëmendja më e madhe shkon dhe tek klipi mjaft kreativ dhe interesant.
Artistët vijnë me një interpretim të mahnitshëm, ndonëse edhe klipi është i realizuar në mënyrë perfekte. Jo vetëm një skenë, por në fakt i gjithë projekti të duket sikur je brenda ndonjë filmi në çdo sekond që kalon.
E në fakt të dy artistët shquhen për klipet e tyre unike, siç dhe ne e vemë shpesh në dukje. Por ky bashkim i tyre na ka thyer çdo pritshmëri dhe na ka lënë me gojë hapur.
Nëse ju pyesim se cila është pjesa juaj e preferuar e klipit, me siguri nuk do të dini të zgjidhni. “Jom ka du me t’pa” jo vetëm që do të jetë një hit vere, por mbase dhe videoja më e mirë e vitit, të paktën deri më tani.
Rikujtojmë që Ylli dhe Dafina janë bërë bashkë dhe më herët, ku kanë publikuar dy projekte muzikore mjaft të pëlqyera për publikun shqiptar. Ata kanë sjellë edhe më parë dy hitet “Mos shko” dhe “Ka je”.