Kjo javë ka sjellë vetëm dy hyrje të reja në klasifikimin zyrtar të “Top Awards”, të cilat edhe pse nuk janë renditur mjaft mirë në listë, ato kanë sjellë një tjetër sukses për artistët.
Falë hyrjeve të reja, Butrint Imeri dhe Yll Limani kanë arritur përkatësisht me nga 6 dhe 7 këngë në “The Top List”, duke lënë kështu të nënkuptohet se fansat ende mbështesin projektet e mëparëshme të artistëve të tyre të preferuar.
Butrint Imeri futet në “The Top List” me “Dream Girl”
Edhe pse është publikuar në fillim të muajit Gusht, bashkëpunimi më i fundit i Butrint Imerit dhe Nimo, “Dream Girl”, ka mundur të futet në klasifikim në fillim të muajit shtator, ekzaktësisht pas një muaji. Pavarësisht se ka ardhur ritmik, duke iu përshtatur më së miri temperaturave të nxehta, “Dream Girl”, nuk ka marrë vlerësimin maksimal nga ana e fansave, duke u renditur në vendin e 99-të.
Përpos kësaj, Butrinti vazhdon të ecë mjaft suksesshëm me projektet e mëparëshme muzikore, duke u renditur në “Top 5” me dy projekte muzikore, “Hajt Hajt”, e cila mban vendin e 4-t dhe “Sa Gjynah”, e cila renditet në vendin e 5-të. “Bakllava” dhe “Kush” janë dy nga këngët më jetëgjatë të Butrintit në klasifikim, të cilat renditen në “Top 10”, përkatësisht në vendin e 7-të dhe 9-të ndërsa “Alea”, e cila ka 61 javë në listë, pozicionohet në vendin e 13-të.
Yll Limani futet në “The Top List” me “Pse je me to”
“Pse je me to” është prurja më e re muzikore e Yll Limanit në “The Top List”, e cila ka mbyllur klasifikimin e kësaj jave, duke u renditur në vendin e 100-të. Ky prjekt muzikor i artistit është një nga debutimet më të dobëta të tij edhe pse është futur në listë që në javën e parë të publikimit.
Kjo këngë ka bërë që Yll Limani të jetë pjesë e “The Top List” me 7 projekte muzikore në total, të cilat vazhdojnë ta kenë vëmendjen e publikut. “Nuk po kalojka”, e cila ka plot 8 javë në klasifikim, është kënga e renditur më mirë në listë, ekzaktësisht në vendin e 22-të.
“Krejt ti fala”, “A don hala”, “Harrom”, “Vaj”, “A ja ka vlejt” renditen përkatësisht në vendet 38-të, 53-të, 55-të, 59-të, 69-të.