Lorè, emri i vërtetë i të cilës është Lorela Karoshi, është një tjetër talenti i ri që i është shtuar tregut muzikor shqiptar, duke rrëmbyer zemrat e të gjithëve me zerin e saj melodioz. Kontakti i parë me skenën ka qëne në “talent-show” “The Voice of Albania” ku Lorè mundi të arrinte deri tek netet “live” me Elton Deda si mentor.
Nepermjet “The Voice”, ajo u përzgjodh në vitin 2014-të si përfaqësuese e Shqipërise në Azerbajxhan, në festivalin “Univision” për artistë të rinj. Në 2015-të bashkëpunoi me një Dj shqiptar për të sjellë projektin e saj të parë “Hungover by a dream” dhe menjëherë më pas, në 2016-të, një tjetër bashkëpunim me Dj Aldo me këngën “Don’t let me go”. Në 2017-ën, Lorè mori pjesë në “Festivalin e RTSH” me këngën “Me ty” në bashkëpunim me Alban Kondi si producent i veprës. Ky ishte momenti kur ajo nisi të shkruante vetë materialet e saj dhe në atë kohe ka ardhur edhe projekti “Tonight”, i cili u publikua përpara një muaji në bashkëpunim me Vin Veli. Prej 2 vitesh Lorè e konsideron veten kantautore, pra tekstshkruese dhe kompozitore.