Lorè, një nga artistet më të talentuara të Top Awards, ishte e ftuar në studion e “Lancio” në Top Albania Radio për të folur për karrierën e saj muzikore. Ajo foli më shumë dhe mbi këngën e saj të re “Fajet”, por jo vetëm.

Çfarë mund të na thotë Lorè për “Fajet”?

Është pak herët për të dalë në konkluzione, sepse kënga ka dy javë. Por jam shumë e lumtur për feedback-un shumë pozitiv që kam marrë. Jam e lumtur. Është një projekt jo aq lehtë i përthithshëm.

E pyetur lidhur me klipin dhe stilin e veçantë në të, Lorè bëri një analizë.

Fokusi kryesor nuk ishte te imazhi. Vizualja ishte qëllimisht blur, që të kishte një lidhje të imazhit me vokalin, por njëkohësisht të mbetej e pazbuluar plotësisht. Zbulimi i imazhit do vijë gradualisht… Donim diçka intime sepse kënga vetë është intime. U bë për t’i dhënë më shumë rëndësi audios.

Një artiste ndryshe, Lorè analizoi tërë stilin e saj dhe tregoi se pse ishte kjo zgjedhje për të patur një klip më ndryshe nga masa e artistëve të tjerë.

Unë jam shumë e hapur ndaj eksperimenteve, mirëpo për mua e rëndësishme është që videoklipi mos të jetë në shërbim të audios, sepse aty humb e gjithë magjia e këngës. Nuk bëj kompromis me imzhin.

Cilët janë artistët me të cilët Lorè do të donte të bashkëpunonte?

Ka plot shumë të mirë. Elvana Gjata është shumë e mirë. Dafina Zeqiri është shumë e mirë. E dua energjinë femërore. Ka pafund artiste të mira. Gjithashtu, sa e dua një bashkëpunim me Shpat Deda, aq edhe një me Ledri Vula. Unë dua ngjyra.

Kënga “Fajet” renditet këtë javë në vend të 30-të të klasifikimit të “The Top List”.