E ftuar në “Live From Tirana” në Top Albania Radio ishte këngëtarja LORÈ e cila është një ndër artistet më të talentuara në Shqipëri. Kënga në bashkëpunim me naBBoo, e titulluar “Extasy” është një ndër këngët më të dëgjuara të saj në “The Top List”. Ajo ka zbuluar playlist-ën me këngët që kanë shenjuar jetën e saj, por gjithashtu na ka zbuluar dhe pak nga projekti i ardhshëm.

Çfarë të lidh me këngën “Toxic” nga Britney Spears?

Unë e gjej shumë veten në pop. Britney ka qenë idhull historik i imi, kam pasur edhe postera në dhomë, është shumë e dashur për mua. Sa e dua aq keq më vjen për gjërat që i kanë shkuar keq me menaxhimin. Britney ka shenjuar debutimin tim në pjesëmarrjen time në edicionin e tretë të “The Voice” dhe mua si produkt i Top Channel.

 A të motivon vjeshta apo periudha e festave për të shkruar?

Inspirimet më të mira i kam pasur nga momentet e mia më të zymta jo nga periudha e festave, pra nuk është një kohë super kreative e imja, por do mendoj të bëj një ndërthurje të të dyjave.

Çfarë ndjesie ke kur dëgjon “Crazy in Love” të Beyonce?

Kjo është kënga që të vjen të kërcesh sikur nuk ke asnjë njeri rreth teje. Mua më jepte pikërisht këtë gjënë, këtë bustin e konfidencës dhe për një moment ndihesha sikur isha Beyonce, ndihesha e pathyeshme. Ne e kemi parë Beyoncen gjithmonë duke u rishpikur, gjë e cila e ka mbajtur në treg sot e kësaj dite. Kam kuptuar që çdo gjë po shkon drejt komercializmit dhe atë po e shoh me komerciale, më të konsumueshme se sa kënget e strukturuara si “Broken hearted girl” ose “If I were a boy” që kanë qenë hite ndër vite.

Ku jemi me dramat dhe muzikën në jetën tënde?

Dramat vazhdojnë, muzika ime sponsorizohet nga drama. Unë e kam thënë historikisht, jam magnet dramash, marr frymëzim, shkruaj përjetimet e mia. Kur jeta bëhet shumë lineare diçka nuk po shkon siç duhet. Edhe në mos më gjejnë dramat, i shpik. Nuk e shijon mjaftueshëm lumturinë nëse nuk ke momentet e dobëta.

Çfarë mund të thuash për bashkëpunimin tënd me Vin Veli, “Tonight”?

Unë zgjodha të sjell një këngë timen, sepse është kënga ime e parë e shkruar, është kënga që ka startuar karrierën time dhe suksesi mbrapa ka qenë shumë i madh. Nuk ka koncert apo invervistë që nuk më përmendet, është si vulë për këto tre vite që kam në treg. Nuk di të them se sa herë e kam kënduar këtë këngë dhe më duket gjithmonë si hera e parë.

A ke ndonjë material që po punohet ndërkohë?

Ka shumë gjëra që po punohen momentalisht, por fokusi im kryesor është festivali i fundvitit dhe aty po e derdh gjithë kreativitetin, gjithë energjinë dhe gjithë fokusin tim.

Si do të vijë kënga me orkestër live në festival?

Provat nuk i kemi nisur akoma, sepse është akoma herët, por jam shumë entuziaste dhe jam brenda zonës sime të komfortit. Kënga është diçka vërtet ndryshe, por dua ta lë surprizë…