Alban Skënderaj është një ndër artistët më të talentuar dhe të dashur të muzikës shqiptare, i shquar për tekste dhe melodi të pakrahasueshme të këngëve të tij. Ai është një nga emrat më të pëlqyer në skenën e muzikës dhe çdo risi nga ai zgjon kureshtje të madhe tek publiku.

Dhe pse kishte ditë që e kishte zbuluar, madje ka publikuar dhe pjesëza nga projekti i tij muzikor më i ri, më në fund Albani ka publikuar “La La La”. Një këngë mjaft ritmike që ka hyrë këtë javë në klasifikimin e “The Top List”.

“La La La” edhe pse ka një melodi shumë verore, tipike për stinën në të cilën ndodhemi, ka dhe një mesazh. “Këndoja lirisht personave toksikë që mundohen të t’i shuajnë ëndrrat e të të ulin vetëbesimin.” – kështu zbuloi Albani për publikun me lançimin e kësaj kënge.

Ky projekt i artistit vjen vetëm pak ditë para koncertit të tij madhështor më 6 Qershor në stadiumin Air Albania, ku Albani do të festojë 20 vitet e karrierës në muzikë. Koncerti do të mbajë emrin “Motiv i Jetës Time’, njësoj si kënga e parë që e bëri Albanin që njohim të gjithë sot.