Eneda Tarifa, këngëtarja e njohur e skënës shqiptare është rikthyer më në fund me një projekt të ri muzikor, i cili ka pushtuar menjëherë zemrat e publikut shqiptar. “Nuk ia vlen” mban titullin kjo prurje e re muzikore, e cila javën e kaluar ishte një nga hyrjet e reja të rënditura më mirë në klasifikim, ekzaktësisht në vendin e 4-t. Ndërkohë që vazhdon të mbetet po tek i njëjti pozicion edhe këtë javë, Eneda Tarifa ka zbuluar më shumë për fansat e saj, sa i përket këtij projekti muzikor dhe ato që ka për vitin 2019-të. Ajo gjithashtu ka treguar për “Top Awards” nëse kjo këngë është një përjetim personal apo jo…
Top Awards: I ke munguar për një kohë të gjatë industrisë së muzikës, pse kjo zgjedhje?
Eneda Tarifa: Në fakt nuk është dhe një kohë shumë e gjatë pasi para 2-3 vjetësh ka qënë hera e fundit që bëra një këngë, me të cilën fitova çmimin e festivalit kombetar dhe isha pjesë e festivalit Europian por e vërtetë është që këngë të reja pas atij momenti nuk kam publikuar. Jam marr me “The Voice”, me prezantime të ndryshme, me aktivitete të tjera, prandaj nuk kam mundur dot. Ndërkohë e gjithë kjo periudhë ka qënë një kohë reflektimi, shqyrtimi i materialeve që më vinin nëpër duar, i demove të ndryshme muzikore, nga ku përzgjodha “Nuk ia vlen”.
TA: Jeni rikthyer tepër romantike, a ka një përjetim personal kjo këngë?
E.Tarifa: Nuk ka një përjetim personal të drejtpërdrejt por na përket nga pak të gjithëve. Këtë këngë e ka shkruar Fifi kështu që ndoshta ka patur ajo ndonjë përjetim personal. (Qesh)
TA: Që në javën e parë të publikimit, futeni në vendin e 4-t, e prisnit këtë sukses të këngës?
E.Tarifa: Të them të drejtën, kur zgjedh materialet, i zgjedh me kujdes dhe e di që kam bërë zgjedhjen e mirë. Eshtë një këngë dinjitoze që më përfaqëson kështu që nuk çuditem që në javën e parë e shikoj në vendin e 4-t por jam realisht shumë e gëzuar dhe shumë e lumtur që nuk më ka humbur nuhatja artistike. (Qesh)
TA: Kush është kujdesur për muzikën, tekstin dhe klipin?
E.Tarifa: Muzikën dhe tekstin i ka bërë Fifi, siç thashe edhe pak më lartë. Për klipin është kujdesur “ND Production”, Endi Hoxha, i cili është edhe regjisori i klipit. Duke qënë se është trajtuar akustikisht si baladë, jemi munduar të xhirohej në disa vende të rëndësishme dhe të bukura të Shqipërisë, kështu që klipi përmbledh 5 ditë xhirime. Ka qënë tepër i lodhshëm por pamjet që kemi xhiruar janë fantastike. Kemi qënë në Kepin e Rodonit, në Durrës tek Stacioni i Trenit, në Nartë, në Tiranë dhe sigurisht kemi eksploruar edhe vendet përreth. Ajo që është pretenduar dhe kërkuar janë efektet speciale dhe këto sigurisht i kanë dhënë një bukuri dhe modernitet klipit.
TA: Po mendon të jesh më aktive me projektet e tua muzikore?
E. Tarifa: Patjetër, madje kam humbur shumë kohë dhe kam qëndruar pak larg prodhimeve të reja muzikore por ju premtoj që ky vit do më gjej me tre ose katër projekte të reja dhe të suksesshme.
TA: Një mesazh për mbështetësit e muzikës tuaj…
E. Tarifa: Jam përjetësisht mirënjohëse dhe shumë dashamirëse me të gjithë ata që dëgjojnë këngët e mia. Përulem përpara publikut tim sa herë që dëgjoj që ata i shijojnë edhe i këndojnë këngët e mia. Eshtë një nga momentet e mia më hyjnore. Nëse ka ndonjë mënyrë që unë do doja të vdisja, është duke më kënduar këngët.
TA: Si ka qënë viti 2018-të për ju sa i përket karrierës, çfarë note i vendos?
E.Tarifa: Kam patur një vit tepër të suksesshëm, tepër prodhimtar. Publikova dy këngë, një bashkëpunim me Kastron dhe Robert Berishën si dhe një këngë shumë të rëndësishme për mua “Nuk ia vlen”. Kam qënë pjesë e “The Voice”, kam kaluar një sezon fantastik në një nga klubet e natës në Tiranë, me instrumentistë dhe muzikantë të mrekullueshëm. Kam patur disa prezantime të rëndësishme gjithashtu. Jam tepër e kënaqur, uroj që 2019-ta të jetë po kaq i mirë sa 2018-ta.