Pas bashkëpunimit “Lejla” me Elvana Gjatën dhe Capital T, 2PO2 ka bashkuar fuqitë me Unikkatil për të sjellë projektin e tij më të ri muzikor.
“Kryt Nalt” përvec muzikës së bukur, përmban gjithashtu një mesazh të fuqishëm. Kjo këngë është një lloj revolte e akumuluar prej 17 vitesh, pas luftës në Kosovë, që i bëhet sistemit momental që nuk sjell asnjë risi për popullin.
Po si lindi ideja për “Kryt Nalt”? Në një intervistë të dhënë së fundmi për “Thumb”, artisti ka shpjeguar se ai gjithmonë është marrë me temat sociale dhe me kalimin e viteve ka dashur të japë një mesazh për të rinjtë përmes këngës “Kryt Nalt”.
Ky projek muzikor i publikuar rreth 10 ditë më parë ka ardhur i shoqëruar me një videoklip dhe është pjesë e albumit më të ri të artistit “2020”. I ftuar në “Top Show” artisti ka folur rreth albumit më të ri i titulluar “2020”, i cili pritet të publikohet deri në fund të këtij viti.
Po pse ky titull? Besniku ka shpjeguar se “2020” simbolizon 20 vite karrierë ose “20+20” që tregon moshën e këngëtarit 40-vjeçar. Ky titull albumi nënkupton gjithashtu edhe vitin 2020, ku Besniku shpjegon se për shkak të kualitetit që ky album do të ketë, ai do të jetë gjithmonë përpara në kohë.
Sapo ka dalë në treg, projekti i shumëpritur “Kryt Nalt” është bërë menjëherë pjesë e “The Top List” duke u pozicionuar mjaft mirë, pikërisht në vendin e 9-të të këtij klasifikimi i cili përbëhet në total nga 50 këngë.