I ftuar në këtë episod të dytë të “A Live Night” ishte artisti shumë i dashur shqiptar Yll Limani. Një artist me kuptimin e plotë të fjalës, një talent i jashtëzakonshëm, Ylli jep një intervistë unike ku zbulon për herë të parë disa detaje nga jeta e tij. Ndër të tjera, ai flet edhe për Yllin si fëmijë, si ka qenë, si sillej dhe si mendonte ai.

Si fëmijë kam qenë shumë ekstrovert, energjik. Kuptoja çdo informacion që ndodhte përreth meje. Mbaj mend fjalët, presjet, pikat, të gjitha… Kam qenë shumë përjetues. Kur familjarët e mi diskutonin ndonjë dhimbje personale, unë e mbaj mend që e kam përjetuar njësoj.

Siç pritej nga një artist i përmasave të tilla, Yll Limani pranon lidhjen e ngushtë që ka patur me muzikën që në fëmijërinë e tij.

Kam qenë tërë kohës i ekspozuar ndaj muzikës, kam patur kaseta, xhirime të muzikës të rrymave të ndryshme, muzikë të huaj, muzikë shqiptare. Nuk kam qenë shumë i ekspozuar ndaj llojit të muzikës që bëj sot, ajo ka qenë e brendshme nga unë…

Mesa duket, Ylli është rritur në një familje artistësh, teksa ka pranuar edhe lidhjen që familjarët e tij kanë patur me muzikën.

Unë jam rritur me një familje, me njerëz që e kanë dashur muzikën. Mami ka një zë shumë melodik. Kur rritesh me babin e ke një lidhje pak më të thellë, babin e ke ndoshta më të rëndësishëm si figurë në jetë.

Me një emocion të qartë, Ylli flet me tëpër për veten dhe njerëzit e zemrës, teksa shprehet edhe për babanë e tij.

Përshtypja e njerëzve kur flasin për Yllin, mendojnë babanë i cili po e udhëzon, këshillon dhe shtyen drejt ëndrrës së tij në muzikë. Babi është ekstremisht shumë i kujdesshëm dhe i përmbajtur…

Si asnjëherë më parë, Ylli zbulon detaje nga fëmijëria e tij, teksa tregon se si i ka përjetuar ndryshimet gjatë asaj periudhe.

Mendoj se një dhembshuri në muzikën time në aspektin melodik, është sepse si fëmijë kam përjetuar shumë situatat. Kam patur fëmijëri të lumtur, jam shumë me fat. Kemi jetuar shumë njerëz në një ambient. E mbaj mend melankolinë dhe mallëngjimin për shokët e lagjes. Ka qenë një vuajtje që ndoshta nuk i takon një fëmije. Kur dola nga banesat në shtëpinë e re nuk haja, nuk pija, nuk flija…

Më tej, Limani tregon kohën e dhimbshme të luftës, teksa zbulon çdo ndjesi, përjetim, emocion të tijin dhe anëtarëve të familjes së tij gjatë kësaj periudhe tepër të vështirë.

Në Gjermani kemi qëndruar tre muaj, gjatë vitit 1999. E kuptonim pse ishim atje sepse në Kosovë ishte luftë dhe babi i përjetonte siç i përjeton sot të gjitha çështjet kombëtare patriotike, e rëndojnë shumë. Kanë qenë shumë të kujdesshëm kur na ekspozonin ndaj faktit që është duke u bërë makabër dhe njerëzit kanë humbur jetën, fëmijë janë vrarë, gra janë përdhunuar. Këto i kam kuptuar më vonë duke u rritur…

Një pjesë e rëndësishme e jetës së tij, nuk mbeti pa u përmendur gjatë intervistës, dhe bëhet fjalë pikërisht për “The Voice Of Albania”. Por pse zgjodhi ai të shkonte në këtë show talentesh?! Ja si përgjigjet vetë artisti.

Nuk e kam parë si mënyrë për t’u lansuar në treg, por e kam parë si mënyrë për t’u kënaqur. Nuk e di çfarë mendoja, por thjesht doja të këndoja. Nuk e prisja ndryshimin që erdhi.

Epo duket se pas çdo ylli të madh muzikor fshihet një histori e pabesueshme. Dhe gjërat nuk mund të ishin aspak ndryshe për Yll Limanin, teksa na zbulon se si ndodhi e gjithë pjesëmarrja e tij “The Voice of Albania”.

Kur e kam bërë audicionin në Prishtinë për “The Voice of Albania” ka qenë disa minuta pasi kam parë reklamën dhe ishte ora dhe dita e fundit e audicioneve. Nuk kam bërë një punë shumë të mirë dhe si rrjedhojë informohem nga pjesëmarrësit e tjerë që u kishin telefonuar. Për herë të parë po e zbuloj, i marr në telefon dhe u them jam Ylli Limani, kam marrë pjesë në audicion, të gjithë i keni thirrur, ndërsa mua jo. Ata më thanë se janë duke bërë listën finale, nuk më thërrasin përsëri dhe nuk ma hapin. Më pas më marrin dhe më thonë janë zgjdhur 32, por ti je jashtë. Unë kur shkova në “The Voice of Albania” nuk e kisha as emrin, isha i 33.

Epo nuk ndodh gjithmonë ashtu siç e presim, teksa edhe Limani ka zbuluar se çfarë e habiti më së shumti gjatë audicioneve.

Kam bërë një klip prezantues duke u inspiruar nga patetizmat e yjeve të mëdha botërore. Por nuk kam ndonjë traumë të madhe, ndonjë dhimbje. Ideja ishte të këndoja këngën e Ron Pope “A Drop In The Ocean” dhe t’i bëja përshtypje Almës dhe Miriamit. U kthyen Eltoni dhe Sidriti, nuk e prisja. Kur më zgjodhi Eltoni më bëri përshtypje.

Një artist inspirues, Yll Limani frymëzon me mesazhin e tij për të gjithë të rinjtë që dëshirojnë të ndjekin një rrugë si ai, apo sadopak të ngjashme.

Kam një mesazh për njerëzit që marrin pjesë në show talentesh: është një përshtypje që është krijuar që produksioni i formatit do të të marrë dhe do të të përkëdhelë. Ajo nuk ekziston. Për mua ka qenë një trampolinë. Njerëzit e dinë që ti këndon, por ti e di si e përdor. Unë e kam ndjekur vetë pasionin me forcat e mia.

Gjatë intervistës, ai shfaq hapur dashurinë që ka për këtë profesion, teksa zbulon dhe motivet e tij drejt rrugës së artit.

Dua të bëj sa më shumë shoqëri, të njoh sa më shumë njerëz, sa më shumë të udhëtoj, të knaqem, të shoh botën. Nuk ka qenë kurrë qëllimi im të bëhesha i famshmëm, të bëja para.

Një punë që për shumë mund të duket e lehtë, Yll Limani ka zbuluar çfarë fshihet përtej shkëlqimit, dhe çfarë ndodh pas kamerave.

Është sakrificë, por një sakrificë që e kam zgjedhur. Kam zgjedhur të humbas një qetësi, të jem njeri publik, të përflitem, të përmendem në lajme, por e kam zgjedhur. Ankthi më i madh në shkollën e mesme, ka qenë frika se mos përfundoj në punë institucionale. Ylli pas kamerave është politikisht jokorrekt, ka ironi, por jo në kuptimin e keq. Jam më i papërmbajtur, nëse kam një mendim e them.

Ashtu si çdo njeri që ka pasiguritë e tij, këngëtari ‘hapi zemrën’ në këtë rrëfim dhe na tregoi se çfarë nuk ka pëlqyer në veten e tij.

Kam pasiguri. Kam pasiguri si dukem, kam pasur pasiguri duke u rritur. ‘Body insecurities’, jo t’i kem krahët e gjerë, të kem ‘six pack’ (muskuj barku), të shkoj në palestë. Kur atë pasiguri e shndërron në motivacion për të qenë më i shëndetshëm, je më i shëndetshëm edhe mendërisht.

Ylli asnjëherë nuk bëhet pjesë e portaleve për sa i përket skandaleve apo titujve që nuk kanë të bëjnë me muzikën që ai lanson për publikun. Si ia del këngëtari të ruhet kaq shumë në ditët e sotme ndaj këtij fenomeni që disa personazhe të tjerë e konsiderojnë si shqetësuese për privatësinë e tyre?

Nuk jam prej atyre figurave publike që them, jo po portalet ma nxin jetën, jo po nuk më lënë rehat. Ti ke zgjedhur këtë jetë ku ti përflitesh. Shumica e personazheve publik edhe në Shqipëri edhe në botë nuk është se nuk kanë qejf t’i përmendin portalet, e kam vënë re te disa një lloj kënaqësie. Thonë që nuk u bëhet qejfi, por është një lloj varësie ndaj të qenurit tërë kohën në portale se përndryshe nuk na kishin dhënë material. Mua kurrë nuk më ka pëlqyer jeta e shtrenjtë, drogërat, më pëlqejnë festat më private.

E për sa i përket bashkëpunimeve që artisti i ka pasur mjaft të shpeshta, ai na tregon se i pëlqen të eksperimentojë në këtë pjesë dhe si është ndjesia e të kompozuarit një pjesë nga arti i tij për artistë të tjerë. Ylli gjithashtu na tregon një prej këngëve të tij të preferuara që ka kompozuar.

Arsyeja se përse kam eksperimentuar shumë me bashkëpunimet është sepse kam luftuar shumë që njerëzve mos t’ju dukem i njëtrajtshëm, mos t’ju dukem ‘boring’, bajat. Jam nga pak kaotik në atë çfarë dua në jetë. Kam pasur fatin të punojë me femra se mëson. Nuk kam hatërmbetje me asnjërën, mundem t’ju shkojë nerva disave, mos t’i pëlqej. Edhe atyre qe nuk u pëlqej çfarë t’ju bëj. U ngopa me këngët që i nxirrja për sukses komercial edhe thash kur të vijë dhjetori do i nxjerr 5 këngë si i kam qejf unë. Po jetojmë në një kohë që ka informacione çdo ditë, zhvillime çdo ditë dhe njerëzve t’i japësh një album me 12 këngë, vëmendjen e kam më të vogël. Nëse nuk do isha performues i këngëve të mia do kisha qenë kompozitori i këngëve të të tjerëve. Jam shumë më i çliruar, shumë më pak autokritik kur shkruaj këngë për dikë tjetër, është shumë e lehtë, aq bukur del, aq thjesht, aq ëmbël. Një dashuri eshtë kënga ‘Mos u kthe’ që e ka kënduar Semi në mënyrën më fantastike, e kam dashur shumë si këngë, jam treguar shumë i mirë që e kam lejuar dikë tjetër ta këndojë atë këngë se e dua shumë vet.

Si kurrë më parë Ylli na tregoi më shumë lidhur me jetën e tij sentimentale dhe se çfarë kërkon te vajza që do të ketë në krah në të ardhmen.

Mendoj që akoma nuk kam rënë në vajzën e duhur me të cilën do krenohesha dhe do e dashuroja aq shumë sa do e bëja publike se unë nuk e shoh si trofe, si e trajtojnë shumë të tjerë në industri edhe vazhdojne ta bëjnë. Po udhëtoj nëpër zemra se më vyen pak inspirim edhe me dijeni nuk e kam lënduar shumë shumë askënd deri sot. Edhe mendoj që kur ta bëj femrën që do e marr me vete githkund, jam shumë kurioz ta di si do ndihet në xhirime, intervista, koncerte kudo. Por duhet të di paraprakisht që duhet ta paguaj edhe ajo faturën e vet. Ajo duhet ta di që po vjen në një tokë që është pak problematike. E di që do zgjedh femër me një karakter të fortë. Mund të ndihem i vetmuar ndoshta në mendime dhe unë e di më së miri, po vetmia sadopak vjen si pasojë e punës se je tërë kohën në mendime. Edhe fillon me i zgjidh disa probleme me veten tënde dhe i lë njerëzit e tjerë pak më të ftohtë ndaj teje, po nuk e bëj shumë shpesh, e bëj me raste.

E në një rrëfim shumë personal, artisti na tregoi se çfarë do t’i thonte vetes së tij 17- vjeçar, si do ta inkurajonte atë?

Po të kisha këtu Yllin 17 vjeç do e kisha përqafuar fort, do i kisha thënë puçrrat do të ikin se i kam pasur shumë problem. Do i thoja nuk i ke ‘kryet e mëdha’ si të ka pas thënë motra. Do i kisha thënë që do këndosh shumë më plot seç këndon. Do i kisha thënë mos u frikëso, por nuk do i kisha thënë asgjë të rrjedhjes së jetës deri sot.