Yll Limani është shndërruar në një nga këngëtarët më të kërkuar të momentit, i cili ka tërhequr pas vetes shumë admirues. Artisti, i cili është gjithashtu edhe një tekstshkrues mjaft i talentuar, lundron në rryma të ndryshme muzikore por duket se ajo që i shkon më së miri atij, janë baladat.
Vetëm pak ditë më parë, Ylli ka ardhur sërish romantik, duke publikuar një këngë për të cilën ishte shprehur se kurrë nuk do e nxirrte në treg pasi ishte vetëm për veten e tij por këngëtari ka ndërruar mendje dhe këtë këngë tashmë mund ta dëgjojnë të gjithë.
“Harrom” titullohet prurja më e re e muzikore e Limanit, për tekstin dhe muzikën e të cilës është kujdesur vetë ai. Që në javën e parë të publikimit, kjo këngë ka rrëmbyer menjëherë zemrat e publikut, sugjerimet e të cilit e kanë futur menjëherë në “The Top List”, duke e renditur në vendin e 20-të.
Nga ana tjetër, Yll Limani vazhdon të ketë sukses edhe me projektet e tjera me të cilat gjendet në listë, duke patur tre këngë në “Top 20”. “Krejt ti fala” bashkëpunimi i tij me Majk, këtë javë është ngjitur me 12 pozicione, duke u renditur në vendin e 16-të ndërsa kënga që është ngjitur me më shumë pozicione këtë javë në gjithë klasifikimin është “Autumn Leaves” e Cricket dhe Limanit, në të cilën artisti ka ardhur paksa ndryshe në stil.
Ndërkohë artisti vazhdon të ecë suksesshëm edhe me tre projektet e tjera, të cilat edhe pse nuk janë pjesë e “Top 20” sërish renditen mjaft mirë në listë. “Vaj”, “Dritat” dhe ” A ja ka vlejt” pozicionohet përkatësisht në vendin e 36-të, 54-t dhe 60-të.