Një kombinim perfekt është konsideruar “Sekreti im” i Xhensila Myrtezaj dhe Pirro Çako. Dy zërat e talentuar kanë bashkuar fuqitë dhe kanë sjellë një perlë muzikore, siç shumë fansa shprehen nëpër rrjetet sociale.
“Një bashkëpunim për të cilin është investuar shumë dashuri dhe art“, kështu është shprehur Xhensila në një postim të bërë në profilin e saj në Instagram. Ndër të tjera, këngëtarja shkruan se është një nder dhe privilegj për të, të punojë me një artist si Pirro Çako.
Tre vjet është dashur që ky projekt të finalizohet dhe duket se pritja ia ka vlejtur pasi që në momentet e para të publikimit, kjo këngë ka marrë vlerësime maksimale nga ana e publikut shqiptar.
“Sekreti im” është kënga që e ka rikthyer Pirro Çakon në treg si kantautor, duke i dhënë një magji të vërtetë kësaj kënge.
Falë mbështetjes së publikut, kjo këngë është futur menjëherë në klasifikimin zyrtar të “Top Awards”, duke u renditur në vendin 12-të, një pozicion mjaft i rëndësishëm për një hyrje të re.