I ftuar së fundmi në “Ndryshe” ka qenë kompozitori i njohur Pirro Çako. Me një karrierë të gjatë dhe të suksesshme në muzikën shqiptare, Pirro Çako vazhdon të mbetet një nga artistët më të dashur për publikun, falë këngëve të tij të ndjera, interpretimit unik dhe kontributit të rëndësishëm në industrinë muzikore ndër vite. Ai ka sjellë projekte që kanë lënë gjurmë në muzikën shqiptare dhe vazhdon të jetë aktiv me krijime të reja artistike. Pirro ka sjellë bashkëpunimin e tij më të ri me Fifin, “Të kam në mend”, që ka korrur një sukses të menjëhershëm.

Lidhur me bashkëpunimin me Fifin, Pirro u shpreh:

Ne me Fifin u bëmë shumë miq dhe aty lindi ideja që të bënim një duet bashkë. Dhe Fifi vetë kishte qejf që të bënte diçka ndryshe. Them se është një këngë e bukur, mbetet një kujtim vërtet i bukur.

A fshihet një histori personale pas kësaj kënge?

Nuk është diçka personale, por në këtë periudhë unë bëra një refleksion dhe iu ktheva shumë të kaluarës, kur kemi qenë studentë dhe ndodhin ato historitë e shkurtra. Aty shkova, por nuk ndalova (qesh). Erdhi Fifi në studion time dhe ia tregova këngën dhe tha që i pëlqen shumë, nuk donte që të lëvizte asgjë dhe ta këndonte. Janë disa histori, jo një…

Pasi publikove këngën, të erdhi ndonjë mesazh nga dikush që mendonte se ishte dedikim për të?

Tek kjo kënga jo, por ka pasur këngë të tjera që kanë marrë nga një mesazh.

The që nuk ishte për një histori, por për disa. Kaq çapkën ke qenë?

Jo, këtu dua ta përgjithësoj për gjithë njerëzit. E ndjeva që duhet të bëja diçka për të kaluarën dhe aty futa të gjithë njerëzit e mi, historitë që kam dëgjuar…

Lidhur me procesin e krijimit të këngës, Pirro tha:

Nuk e kam qendisur për një ditë, ka marrë goxha kohë. Çdo artist ka këngë në repertonin e tij të sirtarit, që është shumë i rëndësishëm. Aty unë kam bazën materiale, që konkretisht janë tingujt, janë kompozime të shkurtra, të cilat një pjesë e tyre më ngelin në mend, siç më ka ngelur në mend kjo. Kur e shkruajta refrenin m’u duk sikur e kisha dëgjuar diku. Ishte një refren që unë e kisha patur në mendje edhe melodikisht këtë. Në sirtarin tim aty ka shumë demo, por unë arrij të seleksionoj ato gjëra që më duken mua më interesante. Një nga këto gjëra që kisha në sirtar dhe që kisha punuar pjesërisht, ishte kjo këngë.

Kur ke realizuar këngën “Të kam në mend”, të ka folur më shumë zemra apo kujtimet?

Mendoj që të dyja bashkë, sepse ato kanë një lidhje, janë shumë të sinkoronizuara njëra me tjetrën.

Nëse “Të kam në mend” do ishte një letër, kujt do t’ia dërgoje atë?

Mamasë time.