Prej shumë vitesh, dy reperat e njohur, Getinjo dhe Mozzik, kanë patur një bashkëpunim të fuqishëm me shtëpinë diskografike “On Records”, por gjithçka ka marrë fund ditën e sotme.
Përmes një postimi të bërë në rrjetin social “Instagram”, Mozzik ka lajmëruar të gjithë fansat, se ai dhe vëllai i tij, nuk do të jenë më pjesë e “On Records”.
“Njerëz të dashur, donim t’ju informonim se unë dhë vëllai im, Getinjo, nuk jemi më pjesë e “On Records”. Këngët tona janë fshirë nga kompania në fjalë. I falenderojmë për punën e përbashkët gjatë këtyre viteve. Vlera jonë nuk do të shuhet asnjëherë, do të shihemi së shpejti me këngë të reja. Ju duam”, shkruan në postimin e tij reperi i “Xhelozia”.
Por Mozzik nuk është ndalur me kaq. Reperi ka bërë një tjetër postim, ku ka akuzuar drejtuesit e kësaj shtëpie diskografike se pavarësisht se reperat kanë punuar shumë fort, “On Records”, nuk është krenuar me ta, duke mos i falenderuar për punën e lodhshme. Ndër të tjera, ai shton se kishte nënshkruar një kontratë pune, jo fyerje dhe kërcënime.
I kontaktuar nga “Top Awards”, Met Elshani ka treguar se ndërprerja e kësaj kontrate ka qënë e njëanshme, pra nga ana e tyre, duke u larguar pa asnjë arsye.
“Ne kemi një super kontrat dhe gëzojmë të gjithë të drejtat e këngëve dhe për 5 vitet e ardhshme”, tregon ish-menaxheri i dy reperave. Ai ka shtuar gjithashtu se Mozzik dhe Getinjo janë ende pjesë e “On Records” nga ana ligjore.
I pyetur nëse ka mundësi për një rikthim të kësaj kontrate, Meti është përgjigjur se nuk beson dhe se është duke i hedhur në gjyq.
Sa i përket këngëve të Mozzik dhe Getinjo, “Xhelozia”, “Mucho Dinero” dhe “Sexy”, të cilat janë në klasifikimin e “The Top List”, Top Awards, Meti ka kërkuar të hiqen menjëherë nga lista pasi është shtëpia diskografike “On Records”, ajo që zotëron të gjithë të drejtat e këngëve.