Këtë javë mirëpresim Gjestin në klasifikimin e 100 këngëve më të mira shqiptare në “The Top List”. Artisti vjen për herë të parë në listë me këngën e tij të fundit.

“Princesh” është projekti me të cilin artisti debuton këtë javë në Top Awards. Ky projekt është publikuar rreth katër muaj më parë, por ka ardhur sërish në vëmendjen e publikut duke marrë votat maksimale dhe duke rrëmbyer menjëherë vendin e parë edhe pse si hyrje e re.

“Princesh” nga Gjesti është një këngë romantike që tregon historinë e një dashurie ideale dhe të pastër. Me një melodiozitet të këndshëm dhe një ritëm që të mbush me emocione, kënga është një dedikim për personin që është parë si një “princeshë” në jetën e dikujt. Zëri i Gjestit dhe teksti i thjeshtë por me kuptim të thellë e bëjnë këtë këngë të veçantë dhe të dashur për shumë dëgjues.

Gjesti ështe pseudonimi i artistit Besart Kelmendi, i cili që nga viti 2020 ka vendosur ta sprovojë veten në rrugën drejt muzikës. Projekti i tij i parë muzikor mban titullin “Idiote” dhe erdhi po në këtë vit. Që nga komentet e para, u prit mirë nga publiku dhe ky ishte vetëm fillimi për Gjestin, i cili menjëherë nisi punën për projektet pasuese.

Përzgjedhja e emrit artistik “Gjesti” është një pjesë e strategjisë së tij për të ndërtuar një imazh të veçantë në industrinë e muzikës, ku Besarti, tashmë Gjesti, është i njohur për zërin e tij të fuqishëm dhe për këngët që shprehin ndjenjat dhe përvojat e tij personale. Ndër projektet e tij më të preferuara përmendim “Alo”, “Pandemia”, “Princesh”.

Ai fitoi popullaritet me hyrjen e tij në “Big Brother VIP Kosova 3”, por pas eliminimit nga ky format ai surprizoi të gjithë fansat duke hyrë në “Big Brother VIP Albania 4”. Nga izolimi në izolim, ai tha se pret gjëra akoma edhe më të forta dhe mori menjëherë mbështetjen e publikut.