Tashmë e kemi mësuar që çdo këngë e Mozzik pëlqehet shumë nga publiku dhe arrin që brenda pak ditësh të dëgjohet kudo. Së fundmi, reperi po lançon albumin e tij më të ri “Lamboziki” edhe pse pak ka që ka publikuar albumin “No Rich Parents” në bashkëpunim me Loredanën, ish- partneren e tij.

Reperi prej ditësh ka paralajmëruar se do të vinte në bashkëpunim me një super artiste dhe bëhet fjalë pikërisht për Elvana Gjatën. Fillimisht ishte kjo e fundit që e paralajmëroi me anë të një video ku teksa shfaqej duke e interpretuar në makinë një pjesë të këngës zbuloi dhe titullin që është “S’ka”.

“S’ka” është publikuar tashmë dhe duhet thënë që i ka lënë të gjithë gojëhapur. Ky është bashkëpunimi i parë i dyshes, i cili nuk zhgënjeu aspak. Që në çastin kur është njoftuar që dyshja do të bashkonin forcat në një projekt, fansat mezi e kanë pritur që të publikohej.

E duket se “S’ka” qenka ndër më të pëlqyerat e publikut. Votat e publikut jo vetëm që bënë që kënga të hynte menjëherë në klasifikimin e “The Top List”, por që gjithashtu të arrinte një pozicionim mjaft të mirë. “S’ka” renditet në vend të pestë të klasifikimit.