Mëngjesin e sotëm ka qenë i ftuar në “Wake Up”, këngëtari dhe kantautori Killua. Një talent i rrallë dhe i vyer në tregun tonë, i cili gjithmonë ka ditur se si të bëjë diferencën. Killua ka publikuar së fundmi projektin e tij më të fundit, që mban titullin “Me kajt”, që ka hyrë këtë javë në klasifikimin e “The Top List”. Artisti na ka treguar më shumë mbi këtë këngë dhe mesazhin që fshihet pas saj…

A qan Killua?

Killuas i është dashur shumë kohë që të mësojë të qajë, sepse është shumë e vështirë. Është dhe çështje gjenerate besoj, është dashur të rritemi dhe të piqemi para kohe për shkak të rrethanave. Sepse unë jam brezi i ’90-ave dhe kemi kaluar gjithë periudhën e tranzicionit. Besoj që është shumë e rëndësishme që njerëzit të njohin emocionet e tyre dhe t’i shprehin ato.

Si ishte ajo kohë që ti i referohesh në këngë?

Kam dhe një këngë tjetër që do të vijë më vonë që thotë ‘donim të ishim heronjtë e përrallave’. Kur je fëmijë ke çiltërsinë dhe naivitetin që gjërat do të jenë të bukura dhe pastaj ti përplasesh me rrethanat sidomos në periudhën kur unë jam rritur, që ka qenë fundi i viteve ’90. Dhe ti duhet të burrërohesh para kohe, i kushtëzuar jo vetëm nga miqtë dhe nga familje, por nga çdo gjë tjetër.

Cila ka qenë vështirësia jote më e madhe?

Pasi kam bërë një proces terapeutik me psikologun tim për të njohur veten, sepse më është dashur të njoh veten që pastaj të njoh dhe të tjerët, ndryshe nuk mund ta bëj nëse nuk hapem dot me veten. Kam pasur një aksident që mund të ishte fatal dhe gjëja që i kam thënë nënës sime ishte ‘mos u mërzit se jam mirë’. Psikologu im kur e ka dëgjuar, i janë mbushur sytë me lot. Një fëmijë 6-7 vjeç që mundohet të sigurojë të ëmën që të mos qajë. Pastaj është vargu i këngës: ‘Kur bëhet zot i shtëpisë fëmija, seni më i trishtë’. Por jo sepse babai im nuk ka qenë prezent, babai ka qenë prezent por ka qenë një periudhë që duhet të ishte sa më shumë aktiv për të siguruar për familjen. Mamaja me dëshirën më të madhe thotë që ‘duhet të bëhesh dikushi’ dhe kjo të burrëron para kohe, për të mos qëndruar në të njëjtën situatë për shumë vite.

Një varg thotë ‘për interesa të veta edhe Djalli lutet në kishë’. Pse kjo?

Njeriu është një qënie shumë e komplikuar dhe egoiste, nëse nuk bëhet i vetëdijshëm për gjërat që bën. Njerëzit për të mbrojtur interesat e tyre janë të gatshëm të luten dhe në kishë, edhe pse janë diaj të vegjël.

Duket sikur vajton diçka në këngë…

Është e vështirë të jetosh fëmijërinë nëse ti nuk njeh emocionet të cilat ti po i kalon, sepse ato akumulohen dhe vjen një moment në jetën tënde, siç më ka ardhur mua dhe e kam shpjeguar tek kënga, që mënyra se si e njihja unë dashurinë ishte vetëm përmes përgjegjësisë. Dashuria është edhe përgjegjësi, por nuk është vetëm përgjegjësi.

Çfarë projektesh vijnë së shpejti?

Besoj se tani do të jem më i rregullt me publikimin e këngëve. Nuk kam qenë i rregullt për arsye personale dhe kam dëshirë që t’i shpjegoj në këngë.