Alban Chela dhe Tiri Gjoci kanë bashkuar forcat dhe kanë sjellë së fundmi projektin e tyre më të ri që mban titullin “Killing Me”. Kjo këngë arriti menjëherë të rrëmbejë zemrat e publikut dhe të depërtojë thellë brenda nesh. Dyshja kanë qenë mëngjesin e sotëm të ftuar në studion e “Wake Up” për të folur më shumë për këtë projekt dhe jo vetëm.
Si lindi “Killing Me”?
Albani: Kemi 4 vjet që punojmë me këtë projekt. Ka nisur si demo para 4 vitesh dhe vokalet janë hedhur para shumë kohësh. Isha unë që e zgjasja sepse doja të dilte diçka që unë ta ndjeja akoma dhe më shumë.
Tiri: Albani e bënte një projekt dhe pastaj thoshte: “Jo, nuk më pëlqen, dua ta bëj nga e para”.
Si ndiheni tani që kjo këngë doli? Ja çfarë thotë Tiri:
Unë them shyqyr që doli. Kjo është një këngë që e dua shumë, prandaj jemi marrë 4 vite me të. Ka dhe material të tjera që kanë 4 vite që i kam, por nuk jam bërë mbarë. E dua shumë, linja vokale, instrumentacioni, çdo gjë është perfekte. Më emocionon, është nga ato këngë që të rrënqeth mishin.
Pse vendosën që këngën “Killing Me” ta sjellin në anglisht? Albani përgjigjet:
Unë gjithmonë kam synuar dhe vazhdoj të synoj tregun ndërkombëtar. Mendoj që është më mirë të vazhdojmë në anglisht sepse është një rrymë tjetër, një stil tjetër, që nuk përshtatet shumë me tregun tonë.
Sa e vështirë është të bëni këtë lloj arti dhe të qëndroni vetvetja? Ja çfarë zbulon Albani:
Është goxha e vështirë sepse tregu është shumë i madh. Ajo që ne bëjmë është për një treg ndërkombëtar dhe kur del jashtë Shqipërie ka miliona si unë që bëjnë këto lloj këngësh. Është goxha e vështirë por unë do t’i qëndroj, sepse i jam futur kësaj rruge dhe nuk do të ketë kthim mbrapa.
Si e shikon Tiri tregun muzikor momentalisht?
Është e vështirë, por në fund të ditës kam bërë atë që kam dashur.
“Killing Me” flet për vetminë, është diçka që e keni përjetuar vetë?
Tiri: Duke qenë se është anglisht, ka pasur dhe persona të tjerë që më kanë ndihmuar me teksin. Por po, kënga është një reflektim, që mendoj se gjithsecili nga ne një herë në jetë e bën. Përqëndrohet më shumë tek gjërat që nuk ke mundur t’i bësh dhe të buçasin në kokë në një moment të caktuar të jetës që të thonë ‘pse nuk e bëra’. Edhe titulli është për këto tentativa që nuk i bëre kurrë.
Sa të kënaqur jeni me klipin?
Alban: Realisht jam shumë i kënaqur, është fiks ashtu siç e doja. Ndihem shumë mirë kur e shoh videon. Atë transmeton edhe kënga, pak vuajtje. Besoj se videoja përshtatet fiks me këngën dhe nuk do të doja asgjë tjetër më shumë.
Çfarë projektesh të reja ka Tiri së shpejti?
Kam disa material që kam vite që i kam, por po pres momentin e duhur. Ka dhe pak mungesë frymëzimi sa i përket kur dua unë ta lançoj këngën. Besoj që në momentin e duhur do të vijë çdo gjë. Projekti më i afërt është në festivalin e fundvitit.
Ndërkohë, çfarë ka Alban Chela për të thënë për eksperiencën si Dj i zgjedhur nga UEFA për të luajtur në stadiume?
Jo më larg se para 2-3 muajsh isha në Pragë dhe hapa për herë të dytë finalen e UEFA-s. Dhe më bënë Dj-n e parë në botë që e hap për dy herë, duke marrë parasysh që David Guetta e ka bërë një herë, po ashtu dhe Martin Garrix. Unë jam i pari që e hap dy herë dhe tani shpresojmë për një të tretë. Është çmenduri, është gjëja më e bukur që mund t’i ndodhi një artisti që të punosh me UEFA-n. Do të doja që çdo koleg i imi ta përjetonte atë.
A do ta mendonit të futeshit në “Big Brother VIP 3”?
Alban: Unë e kam menduar dhe jam 50 me 50. Më thonë që: “shko, sepse mund të jetë një mundësi shumë e mirë për ty”. Por nuk do të doja që ta fitoja famën time me një spektakël që nuk ka lidhje me muzikën, nuk ka lidhje me mua si artist. Unë dua ta fitoj famën duke bërë atë që unë dua të bëj. Pastaj kam dhe shumë projekte, që do të mbeteshin mrapa.
Tiri: Po, do të kisha qejf. Më shumë për eksperiencën. Unë jam tip që nuk i kam shumë qejf vendet e mbyllura dhe do të ishte sfidë për mua. Plus unë i kam shumë qejf garat. Besoj që kam goxha për të dhënë. Ka aspekte të Tirit që njerëzit nuk i njohin.