Julio Imeri, këngëtar, muzikant dhe kompozitor prej 20 vitesh tashmë, ishte i ftuar nëpërmjet një lidhjeje telefonike për “Live From Tirana” në Top Albania Radio nga Greqia, aty ku ai jeton prej disa kohësh. Julio ka publikuar së fundmi projektin e tij më të ri, një cover nga kënga e Aurela Gaçes, “Fati ynë shpresë dhe marrëzi”. Për më shumë lidhur me këtë projekt ai na tregon vetë…
Si lindi përzgjedhja e këngës “Fati ynë shpresë dhe marrëzi”? Pse pikërisht kjo këngë e Aurelës?
Para tre vitesh kam bërë një tjetër këngë cover, “Ika larg” nga Eneda Tarifa. Pas një pauze prej tre vitesh që nuk publikoja më cover erdhi kjo këngë. Në fillim hapa një llogari në TikTok ku po publikoja për qejf dhe një faqe e madhe më bëri share coverin e vjetër. Aty lindi ideja që të publikoja këtë. Unë këtë këngë e kisha me qejf që para tre vitesh dhe e bëra tani.
Si mendove që do e prisnin njerëzit?
Në fakt nuk kisha frikë se si do e prisnin njerëzit. Më shumë frikë kisha nga Aurela. Me Aurelën njihem paraprakisht dhe i thashë që do bëj cover këngën tënde. Unë i marr këngët dhe i bëj sipas versionit tim. Nuk e dija në fakt që do arrinte deri tek Top Albania Radio (qesh).
Çfarë tha Aurela Gaçe pasi e dëgjoi?
Kur e publikova ia dërgova si link. E dëgjoi më vonë, jo atë ditë. Pastaj e postoi në Instagram-in e saj dhe tha: “Faleminderit për dashurinë që ke për këtë këngë”. Ajo e pëlqeu dhe më falenderoi.
A ka ndjerë ndonjëherë Julio paragjykime si një artist në Greqi?
Paragjykim nuk kam ndjerë. Tani po futem dhe në industrinë e filmit. Po bëj videoklipin e këngës së re që do të nxjerr së shpejti dhe ata që marrin pjesë janë grekë. Unë kam kënduar dhe në rrugë dhe nuk e kam ndjerë paragjykimin.
Kjo këngë ka hyrë këtë javë në listën e 100 këngëve më të mira shqiptare në “The Top List”, Top Awards, ku renditet në vend të 19-të.