I ftuar nëpërmjet një lidhje telefonike për “Live From Tirana” ka qenë këngëtari Julio Imeri, i cili jeton momentalisht në Greqi, ku edhe po ndërton hap pas hapi karrierën e tij në industrinë muzikore. Ai ka publikuar albumin e tij dhe pikërisht një nga këngët, “Ne të dy”, ka hyrë këtë javë në klasifikimin e “The Top List”. Ai na ka treguar më shumë mbi këtë projekt:

Kjo këngë lindi si pjesë e albumit tim të parë “Zhgënjim dhe Dashuri”. Teksti flet për momentet e para që kemi kaluar unë dhe bashkëshortja ime në fillimet tona. Lindi si ide për të qenë kënga e parë e albumit. Nuk ma merrte mendja në fakt që kjo këngë do të ishte në “The Top List”.

Çfarë mund të na tregosh për albumin?

Albumi përmban dhe 6 këngë të tjera. Janë dhe 2 këngë që i kam publikuar më parë, “Më harro” dhe “Arsye” dhe janë dhe 4 këngë të reja.

A janë të bazuara këngët e tua në eksperienca personale?

Zakonisht shkruaj në eksperienca të mia personale. Është çfarë kam kaluar unë deri më tani në eksperiencat dashurore.

Cila ka qenë kënga e parë që ke performuar në ‘street-art’ dhe si ka ardhur ideja për të qenë pjesë e “The Voice”?

Kënga e parë ka qenë “Stay with me”, që kam kënduar dhe në “The Voice”. E kam dashur shumë ndër vite dhe e nisa me këtë. Nuk është se kam qenë këngëtar shumë i mirë, isha në fillimet e mia. Nuk aplikova për pjesëmarrjen në “The Voice”, një anëtar i jurisë më pa dhe më mori adresën e Instagramit dhe më ftoi. Natën e audicioneve kam pasur shumë ankth, por u kthye në një gjë shumë të bukur kur të katër anëtarët e jurisë u kthyen.

Bashkëshorja e Julios, Dhimitra, është po ashtu një artiste. Si është të bashkëpunojnë me njëri-tjetrin dhe si u njohën ata bashkë?

Mundohemi të bëjmë dhe muzikë dhe filma, sepse merret dhe me kinematografi. Kemi dhe ato momentet tona që nuk biem darkord por është pjesë e rrugëtimit. Është gjë e bukur që të kesh në krah një artist. Kemi disa materiale për një album të përbashkët… Ne jemi takuar në rrugë. Unë kam qenë duke kënduar këngën “Price Tag” nga Jessie J, mbaja një bexhë me emrin tim në Instagram dhe aty ajo e pa dhe më shkruajti.