“Fati ynë shpresë e marrëzi” sapo erdhi në një version shumë të veҫantë dhe emocional e kënduar nga artisti Xhuljo Imeri. Ai jeton prej disa vitesh në Greqi ku merret me muzikë, pasion të cilin e ka zbuluar që në moshën 14 vjeҫ. Zakonisht e njohin me emrin Julio dhe për efekt shqiptimi në Greqi ka zgjedhur që edhe në këngët apo cover-at e tij të prezantohet me këtë emër. Duket se ka goditur me këngën e Aurela Gaҫes, e cila është pozicionuar edhe në Top Awards dhe po dëgjohet shumë.

Xhuljo fillimisht e nisi karrierën si beatmaker dhe producent duke krijuar muzikë për emra të tjerë të njohur në tregun e muzikës në Shqipëri dhe në 2018 publikoi këngën e parë “Arsye”. Ai ka vijuar me cover-a të cilët i sjell shumë bukur me stilin e tij. Për pak ditë do jetë gati edhe kënga e tij më e re dhe mëngjesin e sotëm ishte i ftuar në “Wake Up” për të folur më shumë mbi pasionin e tij për muzikën.

Pse zgjodhe pikërisht këngën e të madhes Aurela Gaҫe, “Fati ynë shpresë e marrëzi”, kemi përshtypjen se e ke pëlqyer që në fëmijëri, ose je rritur me këtë këngë?

Për këtë këngë kam pasur shumë nostalgji. Dhe Aurela ka influencuar një gjeneratë artistësh, duke qenë dhe një artiste e madhe. Nëse e këndoj këtë këngë mund ta quaj veten artist.

Ti jeton në Greqi prej disa vitesh ku je angazhuar si këngëtar, kantautor, performues… Sa e vështirë ka qenë në fillim të përfshihesh në një treg të ri muzikor, të krijosh kontaktet e nevojshme?

U bënë rreth 4 vite. Nuk kam hyrë në industrinë e muzikës këtu në Greqi sepse nuk më përshtatet shumë. Kam një kanal në YouTube dhe publikoj muzikën time. Po përpiqem të bëj atë që dua por në YouTube dhe duke kënduar dhe pak në rrugë.

Ke sjellë disa cover-a që nga Eneda Tarifa deri tek Enrique Iglesias, Elton John e shumë të tjerë. Cila ka rezultuar si më e pëlqyer nga ndjekësit në YouTube?

Videoja që ka marrë më shumë klikime ka qenë “Ika larg” nga Eneda Tarifa. Kur unë bëj covera, bëj nga artistë dhe këngë që më pëlqejnë.

Po ashtu ti ke realizuar edhe këngë të tuat shumë të bukura si “Arsye” apo “What is love”. E gjen më shumë veten tek tekstet në shqip apo në anglisht, duke qenë se ti edhe shkruan vetë?

E kam filluar anglisht dhe duke qenë se flas më shumë anglisht këtë kohë dhe muzika që bëj i përshtatet më shumë kësaj gjuhe. Kam edhe shqip por jo shumë sepse jam perfeksionist në këtë aspekt, ose do e bëj shumë mirë ose fare. Jam akoma në eksperimentim e sipër, por tek pop-i qendroj më shumë.

Ke një këngëtar shqiptar të preferuar që e vlerëson shumë për muzikën që bën?

Nga artistët e vjetër ka shumë që më pëlqejnë, por do të veçoja Flori Mumajesin. Bën muzikë shumë të mirë.

A ke menduar të marrësh pjesë dhe nëpër festivale?

I kam menduar dhe festivalet por kjo pandemia sikur i ndaloi pak. Por po mundohem t’i rikthehem këtyre planeve.